Sonte në Mekë ra shi. Gjallëroi tokën me mëshirën e Dhuruesit, sikurse freskoi kujtimet e këtyre ditëve të paharruara në brendësinë e secilit prej nesh, në këtë prag largimi drejt Medines së Ndriçuar…
Sot, e Bukura e të bukurave, Qabja e Madhnueshme, dritësonte prej larg, duke na mbushur me mall ndarjeje e nostalgji prezence të përhershme, aty, para duarve të Zotit, drejt të Cilit lartësohen lutjet dhe adhurimet, kërkesat dhe përgjërimet e kësaj dite dhe të çdo dite, deri në përjetësi…
Vështroja drejt Saj dhe mendoja se, këto ditë nuk ishin asgjë tjetër, veçse mundësi të dhëna nga Zoti i gjithësisë për secilin prej nesh, për të rifreskuar besën, për të rigjetur rrugën, për të korrigjuar gabimet, për t’u penduar nga gjynahet, për të kërkuar mbështetje të vazhdueshme drejt rrugëtimeve të panjohura, për t’u mbushur me dritë teuhidi dhe nur afrimesh të përhershme, pas së cilave nuk ka më ndarje…
Këto ditë kaluan të mbushura me bekime e mirësi, që na bënë të kuptojmë se sa i rëndësishëm është besimi për jetën, sa i vlefshëm është njeriu besimtar, që e ka një prag kufitar në jetë, që e ka një kible, një Zot, një pikëreferimi, një garanci që e bën të shijojë çdo moment; si kader hyjnor i jetës kalimtare, si sprovë, si stacion i lëvizshëm, jo qëllim i përhershëm e ndalesë vendimtare…
Këto ditë pamë YMMETIN ISLAM në sytë e njëri-tjetrit, në lëvizjet e pakontrolluara, në të mirat e të këqiat, në mangësitë e rrëshqitjet, në pozitivitetin dhe pastërtinë, në forcën e karakterit dhe ndërgjegjen e dlirtë… U lutëm, sërish u lutëm e, përsëri me rroba të bardha u drejtuam drejt vendit, ku lutjet mblidhen e kthehen në “Amin!”…
Sot, në tavafin e lamtumirës, Qabja ishte po ajo… S’e di, ne a ishim të njëjtët nga dita e parë e mbërritjes, a kishim ndryshuar sadopak..?!
Tashmë, sprova e Dashnisë nis nga ky moment… Rrobat e bardha do të na duhen shumë, sidomos nesër në Shqipëri, njësoj si thelbi i telbijes, madhështia e qëndrimit në Arefat, përulësia e Muzdelifesë, urtësia e gjuajtjes së shejtanit të mallkuar, armikut të përjetshëm të njeriut… Shumë do të na duhen…
Tashmë, që toka e Mekës është laguar nga shiu i bekimeve hyjnore, ne, e dashur Tokë e Shpalljes, bëhemi gati të largohemi drejt djepit të Hixhres Sherife, drejt Ma të Mirit dhe Sahabëve të tij, drejt Shembullit të gjallë e më të përkryer të kësaj feje, drejt Burrave, që jetën e sprovuan me rrobat e tyre të bardha e, me të bardha u larguan nga kjo botë, duke i falur njerëzimit bardhësi e udhëzim…
El-Vedâ, e Shtrenjta Qabe..! Lamtumirë!
Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 16 shtator 2016