Ja Resulall-llah, më paska marrë malli…

Rruga nga Meka drejt Medines, përherë bart në vetvete emocionet e mëdha të vizitës së Resulull-llahut (a.s), vlera e të cilës ka një peshë të papërshkruar në zemrën dhe jetën e çdo besimtari… Është një vizitë e shumëdëshiruar, aq sa, shpeshherë të bëhet se rrugëtimit drejt Medines nuk i soset distanca e gjatë… Largësia, me qëndrimin e saj stoik, bën sikur mban qëndrim ndaj padurimit të mbërritjes, por në të vërtetë, në thellësi të saj ajo ruan me xhelozi sekretet e Hixhretit të shekujve që shkuan… Është një përzierje kimike ndjenjash, malli e kujtimesh të pashlyera, që sillen e shfaqen në çdo pëllëmbë të këtij udhëtimi…

Nga momenti i parë i largimit nga Meka, të shoqëron salavati dhe ndjenja e padurimit për të mbërritur në qytetin më mikpritës të botës, të historisë dhe shekujve; Medinën e ensarëve zemërmëdhenj…

Rruga është e gjatë, shumë e gjatë. Kalon përmes shkretëtirës dhe vargmaleve të heshtura, thuaj të humbura, që aty-këtu nxjerrin nga një ofshamë, që ia përngjet mallit shekullor që rrethon kujtesën historike të tyre, nga dita fatlume, kur Resulull-llahu (a.s) ndërmori rrugët e Hixhretit më të famshëm, atij që “ndryshoi rrjedhën e historisë” së krejt njerëzimit…

Elementët përbërës të shkretëtirës, duke nisur nga pemët e thata, malet me ngjyrën e tyre karakteristike të këtyre zonave, tufat e deveve të egra, vendbanimet e thella të nomadëve, por jo vetëm, ia shtojnë bukuritë tipike kësaj toke, që shekuj më parë do të dëshmonte prekjet e lavdisë së besimit, teksa rrugëtonte drejt qytetit zemërgjerë të palmave pa fund…

Rrugëtimi ynë nga Meka drejt Medines u shoqërua nga peripecitë dhe të papriturat e udhëtimit, që zakonisht përcjellin në memorie eksperienca, që kthehen në kujtime anësore të një dëshire të madhe për të mbërritur sa më parë. Ndoshta, të papriturat e lodhshme na sprovuan në mallëngjimin tonë… Ndoshta, ishin një testim i pallogaritur i krejt mirësive që përjetuam në Mekë e, ndoshta, një detaj pa kuptim e pa vlerë, për t’u harruar sa më shpejt në këtë vorbull bekimesh hyjnore në vendet më të mira e më të shenjta të globit…

NË MEDINE…

Nuk ka përshkrim bukuria e këtij qyteti dhe ëmbëlsia e tij… Nuk ka fjalë që përkufizon emocionet që kaplojnë zemrën, në kontaktin e saj të parë me Kupolën e Gjelbërt… Nuk ka dritë që i përafrohet asaj që zbukuron sytë, në kontaktin e tyre të parë me Babu Selamin… Nuk ka ëmbëlsi më të thellë, sesa ajo që ndjehet, teksa hyn në xhaminë e zemrës për të bërë ca hapa fatlumë drejt Varrit…

U riktheva sërish në Medine… O Zot, sa shumë të falënderoj për këtë mirësi, me të cilën e zbukurove jetën time!

Erdha sërish ja Resulall-llah..! Ja ku jam para duarve tuaja, i përulur, plot mall e zjarr zemre, që digjet nga dashnia, ty të kërkon e, pas cepave të salavatit kapur, shpreson në faljen e All-llahut dhe mëshirën e Tij…

Erdha të të jap selam, të mbushem me frymë e të ha lotët e mi, aty para duarve tuaja, Zotëria im… Erdha të të them se këtë dashni e këtë besë e dua jo vetëm për vete, por edhe për prindët e mi, (që shumë të duan e, selamet e tyre kanë nisur me mua si garanci e mallit…), për fëmijët, për brezat që do të vijnë deri në kiamet, për Shkodërlocen dhe Shqipërinë islame, që nuk ta ka kthyer shpinën, edhe pse e kanë prerë në besë, e kanë goditur pabesisht, e kanë marrë peng, e kanë dhunuar e torturuar, si e si të heqë dorë nga besa jote, por…

Ja Resulall-llah, më paska marrë malli me prezantu para dritares Tande, me të dhanë selam, me u kënaq me erën e këtij vendi, me u mbush me frymë duke të thanë: “Es-Selamu alejke ja Resulall-llah..!”, me u mbush me besë bejatesh e shtrëngim duarsh, që kurrë nuk thyhen më…

Më paska marrë malli, o Ma i Dashtuni i Zemrës…

Imam Muhamed B. Sytari
Medine Munevvere, më 17 shtator 2016