Në Kubâ dhe Uhud, ku përkushtimi dhe dashnia mbetën kryefjalë…

Rruga drejt xhamisë së Kubasë dhe Malit Uhud, shoqërohet përherë me kujtesën historike, që lidhet me këto dy vende, si dhe me ndjesinë e fortë të pjesëmarrjes në vizitat e tyre, si pjesëtar i UMMETIT ISLAM… Si të thuash, falënderimi i qoftë All-llahut, i Cili na udhëzoi në Islam dhe na bëri prej muslimanëve!

Xhamia e Kubasë, e cila përmendet edhe në Kur’an, është e para faltore në Islam. Vetë Resulull-llahu (a.s) mori pjesë në ndërtimin e saj, para se të hynte në Medine, ditën e Hixhretit… Ajo është xhamia, që në Kur’an është përjetësuar si: “Xhami e ndërtuar me përkushtim”, ku Hz. Muhammedi (a.s) udhëzohet të falet në të, së bashku me “burrat, që dëshirojnë të pastrohen”…

Kubaja mbeti përherë pikëreferimi në jetën e Resulull-llahut (a.s), edhe pas mbërritjes në Medine, edhe pas kthimit nga Meka, deri në largimin e tij nga kjo botë… “Kush del me abdes nga shtëpia e tij dhe vjen në Kuba, ku fal dy rekate, do të ketë shpërblimin e një Umreje”, thoshte Zotëria i bijve të Ademit, teksa nxiste ymmetin e tij për të mos ia kthyer shpinën kësaj xhamie me histori e kredo hyjnore…

Ndërkohë, në Uhud, çdo atom përbërës i asaj zone të begatë mbart në vetvete dashni dhe mall, nga i njëjti që shekuj më parë mbarte në zemrën e tij Uhudi… Po, po, mali Uhud ishte përmaluar aq shumë, sa një ditë, teksa Resulull-llahu (a.s) po kalonte mbi të, së bashku me Hz. Ebu Bekrin, Hz. Omerin dhe Hz. Osmanin, ai nisi të dridhej… “Qetësohu, o Uhud se, mbi ty po qëndron një i dërguar, një siddik dhe dy shehidë!”, i pat thënë Resulull-llahu (a.s)…

E, kush nuk e ka dëgjuar se: “Uhudi është një mal, që e duam dhe na do!”, fjalën e bukur dhe plot meditim, me të cilën Hz. Muhammedi (a.s) i prezantonte Uhudin, sahabëve të tij dhe krejt ymmetit, deri në kiamet…

Ndoshta këtu qëndron edhe sekreti i këtij mali, bukuria dhe prezenca e të cilit, të tërheqin nga larg dhe të bëjnë ta duash dhe ta ndjesh, si të mos ishte ngurtësirë… I miri Uhud…

Gjatë gjithë kohës që udhëheqësi i grupit po tregonte detaje nga beteja e famshme e Uhudit, teksa hidhja sytë përreth, më dukej se edhe vetë mali mbante vesh dhe sikur rinohej e gjallërohej me përmendjen e Resulull-llahut (a.s) dhe sahabëve të tij, që shkruan histori lavdie, dashurie e krenarie islame me shpirtin dhe gjakun e tyre, në këtë vend, bri këtij mali, që vazhdon të marrë e të japë dashni e mall për Ma të Dashtunin…

Përherë, vizita e Kubasë dhe Uhudit, mbeten kryefjalë e përkushtimit dhe dashnisë, në raportet e muslimanit me fenë e tij. Si të thuash, secili prej nesh, do të duhej ta lexonte mirë historinë dhe shpirtin e ndërtimit të xhamisë së Kubasë, njësoj si mësimet dhe konkluzionet e betejës së Uhudit, ku Resulull-llahu (a.s), desh humbi jetën…

Imam Muhamed B. Sytari
Medine Munevvere, më 18 shtator 2016