Mirë u pjekshim, o mall shekujsh..!

Çdo ditë në shoqërinë e rrezeve të diellit në praninë Tënde, është Bajram. Gëzuar sot, o haxhilerë të Shkodrës, të mbarë Shqipërisë e trojeve shqiptare! Gëzuar sot, qëndrimin tuaj në oazin e Resulull-llahut (a.s) dhe selameve pranë tij në Medinen e Ndriçuar!

Gëzuar dje, gëzuar sot, gëzuar çdo ditë, kur sytë dhe zemra kalojnë cakun e Dritares, teksa nga thellësitë e qenies njerëzore jehon ëmbël Selami i paqes, i dashnisë, i mallit, i besës, i përshpirtjes para duarve të Ma të Shtrenjtit, këtu në Qytetin e Dritës..!

Gëzuar o zemra ime, që sot ke Bajramin tënd legjitim, këtu në Medinen e ëndrrave, magjepsjes, dorëzimit e kthimit në ezel… Sot, ti ke Bajram dhe ke të drejtë të gëzosh, teksa qan në vetmi nga malli dhe ndarja… Sot, ti gëzon, duke u përpëlitur në atmosferën e momenteve plot jetë, sikurse lëngon ndarjen fizike, që ka nisur të trokasë dyerve…

Sot, ti zemra ime më dhimbsesh.., si kurrëherë më dhimbsesh! Sapo kishe mbërritur te vendi i paqes tënde dhe, si fëmijë i vogël rendje pas flladeve të ngrohta, aty bri Kupolës… Mbusheshe me frymë dhe nuk pyesje më as për botën se, e gjithë bota jote dhe universi i saj ndodheshin aty, ku ti rriteshe për çdo ezan, me çdo namaz, me vështrimet e pandërprera në sytë e ëndrrës së shumëpritur…

Tashmë, sërish do të kthehesh nga ke ardhur, sërish do të largohesh nga atdheu yt, nga tabani, nga origjina… Do të emigrosh sërish, muhaxhir drejt vendlindjes së trupit do të kthehesh… Dritë, Udhëzim e Paqe do përhapësh, si amanet i shenjtë i universit tënd… Sot, ti zemra ime më dhimbsesh e, bashkë me ty qëndroj në heshtje e lutje malli…

Çdo ditë në shoqërinë e rrezeve të Dashnisë Tënde, është bekim për jetën. Bekuar qofshi, o haxhilerë të Shkodrës, të mbarë Shqipërisë e trojeve shqiptare! Bekuar ju qoftë udhëtimi drejt vendeve të shpirtit e stacioneve të besëlidhjes tuaj shekullore! Bekuar ju qoftë ripërtëritja e besës, që brez pas brezi duhet mbartur, tamam si një pishtar që ndriçon jetën nga errësirat e femohimit, shirkut, afetarizmit, islamofobisë, injorancës, shitjes së shpirtit, tjetërsimit të identitetit… Bekuar ju qoftë adhurimi e lutja, lotët e shpirtmadhësia juaj, o shqiptarë besnikë të Resulull-llahut..!

Sot, ti zemra ime më dhimbsesh.., teksa lutesh me salavate drejtuar nga Kupola e Gjelbërt… Të ndjej në heshtje dhe mbaj frymën për ty. Të dëgjoj, teksa e mekur, duke vështruar nga Kupola shqipton ca fjalë: “Mirë u pjekshim, o mall shekujsh, o dritë syri, o ngjyrë bukurie, o e shtrenjta Medine, o Ma i Shtrenjti pushues në tokën e saj, ja Resulall-llah..!”

Përhumbem në thirrjen tënde dhe lutem pa fjalë, në dritën e syve: Selamull-llahi alejke Sejjidi, ja Resulall-llah… Ridvanull-llahi alejkum ja Sahabete Sejjidina…

Mirë u pjekshim, o mall shekujsh..!

Imam Muhamed B. Sytari
Medine Munevvere, më 19 shtator 2016