Një lexim i vlefshëm i të sotmes sonë…

Një lexim i vlefshëm i të sotmes sonë…Pas një të xhumaje të begatë, të mbushur me mirësinë e një atmosfere të lartë vlerash besimi, bujarie e mikpritjeje tipike shqiptare në mesin e vëllezërve të mi në Qendrën Islame Shqiptare të Lozanës, ku vlerat e Thirrjes Islame marrin dimensione të mrekullueshme… Dhe, pas një dite të lodhshme, por të mbushur me stacione të paharruara, që nisën me dersin dhe hytben e xhumasë, (që pata kënaqësinë t’i mbaj në tokën helvete), takimet dhe bashkëbisedimet e shumta me vëllezër, miq e dashamirë, që pyesin plot sinqeritet dhe përherë e më shumë duan të dijnë për fenë e tyre, u ula të pushoj në leximet e të urtëve bashkëkohorë.

Më tërhoqi vëmendjen një shënim largpamës dhe aktual, nga burri i urtë damasken, Dr. Salahuddin Ahmed Keftaro, që kam dëshirë ta ndaj me ju, duke u lutur me zemër, që All-llahu i Madhëruar të na bëjë çelësa të së mirës, drynj të së keqes, paragjykimit, keqkuptimit e keqinterpretimit të fesë së Tij!

“Prapambetja e arabëve dhe e muslimanëve në kohën tonë, është në të vërtetë prapambetje në kuptimin e Islamit, si dhe prapambetje në pasimin e vlerave dhe thelbit të tij esencial!

Ata që njihen si fetarë, janë kapur pas koreve të fesë, me kryerjen e adhurimeve dhe neglizhimin e qëllimeve thelbësore të fesë në përgatitjen (me përballjet e jetës), në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe në mirësjellje!

Ndërsa ata që njihen si laikë, e paragjykojnë Islamin si fé e etiketimit të tjetrit me blasfemi, frikësimit të njerëzve dhe vrasjes, duke e konsideruar ISIS- in prej Islamit!

Kësisoj, është i domosdoshëm saktësimi i mendimit dhe ai i metodologjisë, gjë që është përgjegjësi e dijetarëve dhe thirrësve islamë! Atyre u bie një përgjegjësi e madhe në trazimin e pluhurit nga feja dhe të mbështeturit te mesatarizmi dhe përtëritja, duke u nisur nga bazat dhe disiplinimi me trashëgiminë dhe risitë që përputhen me mendjen dhe kohën!”

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari

Lozanë, më 7 tetor 2016