Shumë të dashur haxhilerë shkodranë të këtij viti,
Paraditën e sotme, sërish u mblodhëm, ishim bashkë. Gati-gati m’u bë se do merrnim udhëzimet e lëvizjes së radhës drejt Haremit Sherifë, Minasë, Arefatit, Xhemerateve a kushedi se ku prej stacioneve të Haxhit tonë, të pashlyer nga memoria…
Sot, teksa vështroja me vëmendje fytyrat e të ftuarve, (me të cilët përjetuam plot 17 ditë të mrekullueshme, të mbushura me lodhje e kënaqësi, emocione e përshpirtësi, lutje e përkushtim në më të mirat vende të globit tonë), vura re se nuri i Haxhit kishte mbetur akoma aty, si një dëshmi e pashlyer e përkujdesjes së Mikpritësit Bujar ndaj të ftuarve, që iu përgjigjën ftesës së Tij me mall!
Ai Nur, të dashurit e mi, le të ngelet aty, si dritë e natyrshme udhëzimi për këdo që kërkon Dritë Udhëzimesh në realitetet e përditshme shqiptare, ku Nuri i Hidajes ka qenë dhe do të mbetet prag i milionava, që kurrë s’iu ndanë besës, amanetit, tabanit…
Të dashur haxhilerë,
Ju, tashmë i jeni kthyer jetës normale. Jetoni çdo moment dhe dëshmoni se çfarë ndodh përreth nesh. Shumë realitete në këtë qytet të minareve e xhamive, ezanit e namazit, në fakt, nuk kanë më asgjë të përbashkët me atmosferën e vendeve, ku së bashku kaluam ditë e netë Dëshmie… Që do të thotë se, të gjithë ne e kemi një obligim të madh mbi supe, një borxh moral e shpirtëror ndaj Atij, që na ftoi dhe na mikpriti, si asnjë mikpritës në botë!
Kemi për obligim të përhapim ku të mundemi shpirtin dhe mesazhin e besimit, të mbjellim kudo farën e Islamit, të shpërndajmë kudo dritën e Kur’anit, të ndajmë me krejt bashkëqytetarët tanë amanetet shpresëdhënëse dhe optimiste ndaj jetës, që Hz. Muhammedi (a.s) la në mesin tonë!
Mos të stepet asnjëri prej jush dhe mos ta nënvleftësojë veten! Ju keni marrë bekimet e Krijuesit tuaj! Ai ju ftoi në Shtëpinë e Tij, të prekni nga afër madhështinë e besimit, mrekullinë e udhëzimit në Islam, thjeshtësinë e marrëdhënieve në mes nesh, bujarinë karakteristike të Ymetit tonë, solidaritetin dhe altruizmin, buzëqeshjen dhe vëllazërinë, por jo vetëm!
Çfarë prisni akoma? A doni më shumë argumente, që vërtetojnë këtë bekim, me të cilin jeni rrethuar? Çfarë prisni pas këtij momenti? A mendoni se ka më shumë se kaq në botën tonë? Jo, vallahi, nuk ka! Ju keni prekur majat më të larta të botës së besimit dhe keni marrë dëshminë më të madhe të faljes, mëshirës, bujarisë hyjnore, veshjes me të bardhat e vërteta, pasi jeni zhveshur nga e bardha e përkohëshme matriale e ihramit dhe nijetit të tij!
Të dashur haxhilerë shkodranë,
Përhapeni me sa të keni mundësi Dritën e zemrës së falur e të pastruar, ndriçojeni me sa të keni mundësi qytetin tuaj, lagjen tuaj, shtëpinë tuaj, kudo që të jeni, në mënyrë që Drita e All-llahut dhe Dashnia e Tij, të na rrethojë si një aureolë bekimi, që i jep drejtim rrugëtimeve tona në këtë jetë kalimtare…
Haxhen Mebruren!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 15 tetor 2016