Ndër përkufizimet e urta dhe të drejtëpërdrejta të aktualitetit të sotëm të botës, është edhe një fjali e shkurtër e publikuar sot, nga Presidenti i Lidhjes Botërore të Dijetarëve të Muslimanëve, Shejkh Jusuf El-Karadavi.
E lexova me vëmendje dhe, duke vëzhguar dinamikën e plogësht të lëvizjes thuajse të ndryshkur të elementit musliman në Shqipëri, kam dëshirë ta ndaj me ju: “Më së shumti, kush akuzohen për dhunë sot, janë muslimanët dhe, më së shumti, kush i akuzon për këtë, janë perëndimorët!
Ndërsa realiteti thotë: Perëndimorët janë njerëzit më të dhunshëm, njëkohë që muslimanët janë viktima të kësaj dhune!”
Si formim, unë besoj se, Islami nuk përplaset me njeri në botë, pasi nuk kompleksohet para asnjë devijimi a forme diversiteti. Secili zgjedh lirshëm besimin dhe bindjen e tij, por asnjeri nuk ka të drejtë t’i imponohet tjetrit në sa më lart!
Kur’ani deklaron qartë format e femohimit, shirkut, haramit etj, prej të cilave distancohet dhe tregon segmentin e ndarjes dhe kufijtë e tolerancës në bashkëpunim. Por, në një pikë të caktuar, nuk ka asnjë hezitim për të deklaruar botërisht: “Ju keni fenë tuaj, unë timen”! Dhe, këtu ndahen rrugët, ose bashkohen, në varësi të rrethanave, konteksteve, rregullave të dialogut, vlerave të harmonisë dhe, mbi të gjitha, asnjëherë në kurriz të dinjitetit identitar e atij të zanafillës!
Fjala e kreut botëror të elitave muslimane, është një e vërtetë e madhe, që po të analizohet me vëmendje, rezulton të jetë një fatkeqësi globale e barabartë me vesin më të ulët e më të fëlliqtë: hipokrizinë!
Dhe, mendo, të shohësh ditë-natë hipokritë, që derdhin lotë krokodili për miliona të pafajshëm që vriteshin e vriten barbarisht në Palestinë, Irak, Burma, Siri, më parë në Bosnje, Çeçeni e shumë e shumë vende të tjera, (me shumicë muslimane, si vendet arabe), por edhe në realitete eksperimentale, si: Shqipëria e Kosova, ku të drejtat e muslimanëve shkelen në mënyrë flagrante në emër të evropianizimit, laicizmit, kulturës, trashëgimisë, viktimizimit etj. dhe ku, politika në veçanti, luan një rol tejet negativ në krijimin e diferencave shoqërore, duke u përzier ku nuk i takon dhe duke abuzuar dhunshëm dhe pa asnjë të drejtë me fenë dhe elementë të ndryshëm të saj!
Prandaj, muslimanët duhet të zgjohen dhe të shohin nga e para marrëdhënien e tyre me fenë e All-llahut! Të pastrohen nga fetvatë e kolonialistëve, (edhe me rrobën e fesë), nga folklori në emër të besimit dhe të binden e të punojnë pa ndërprerje për përvetësimin e vlerave natyrale të fesë, për t’i rrezatuar e përhapur më pas në çdo fushë të jetës, pa përjashtim!
Ndërkohë, ata, që ju flasin në emër të fesë, moralit të saj etj, duke ju izoluar nga një fushë e jetës a një tjetër, kujdes: Po ju mashtrojnë e po ju përdorin për qëllimet e kolonizatorëve, të cilëve u shërbejnë me përkushtim, si “muslimanë pa tëmth”, si produkte njerëzore inkubatorësh, ku prodhohen në seri hibride pa bereqet..!
Mos lejoni t’jua mpijnë a t’jua heqin fare nervin e Islamit tuaj, o muslimanë!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 16 tetor 2016