Mendoni mirë për All-llahun…

Ma uroi të xhumanë e sotme një mik nga Damasku. (Është bukur, kur muslimani ia uron të xhumanë, muslimanit! Me një telefonatë, me një sms, me një urim të drejtëpërdrejtë, me një status vëllazëror etj. Rëndësi ka të mos harrojë muslimani se, e xhumaja është më e rëndësishmja ditë e javës! Mos të harrojë faljen e namazit të xhumasë me xhematë, e plot mirësi të tjera që ka kjo ditë!)

Urimi i mikut tim ishte shumë special. Përbëhej nga disa copëza urtësie dhe optimizmi, që do t’i ndaj edhe me ju, me shumë kënaqësi.

1.
I thanë një beduini: Do të vdesësh një ditë!
Tha: Dhe ku do të shkoj?
I thanë: Tek All-llahu i Madhëruar!
Tha: Zatën, nuk kemi parë mirë, veçse nga All-llahu! A të frikësohemi nga takimi i Tij?!

2.
U pyet një prej dijetarëve të shkuar: A njeh dikë që i pranohet lutja?
Tha: Jo, por njoh Atë që i përgjigjet lutjeve..!

3.
Një person e pyeti Ibn Abbasin, sahabiun e nderuar: Kush do t’i llogarisë njerëzit në ditën e gjykimit?
Tha: All-llahu!
Personi, thirri me të madhe: Shpëtuam, pasha Zotin e Qabes!

4.
Një i ri u sëmur rëndë dhe, në prag të vdekjes së tij, e ëma nisi të qante.
I tha: O nënë, nëse do ta linin ty të ma bëje llogarinë, çfarë do bëje me mua?
E ëma, tha: Do të mëshiroja!
I biri ia ktheu: All-llahu është më i mëshirshëm me mua, sesa ti, nëna ime!

5.
Duke treguar një nga momentet e ditës së gjykimit, All-llahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “… e para të Gjithmëshirshmit do të ulen zërat…” – (Kur’ani, TaHa: 103).
Nuk ka thënë: Para Fuqiplotit, edhe pse ajo është një ditë e madhe dhe me dëshmi të shumta. Ka thënë: “para të Gjithëmëshirshmit”, duke na dëshmuar mëshirë e shpresë edhe në atë moment, kur krejt zemrat do të dridhen!

Morali: Mendoni mirë për All-llahun dhe veproni më të mirën nga vetja juaj, në kërkim të dashnisë dhe mëshirës së Tij!

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip,
Shoqëruar me ca shënime anësore:
Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 21 tetor 2016