“Unë po shkoj aty ku më urdhëroi Zoti im, e Ai më udhëzon!”. Ky është ajeti 99 i sures Es-Saffat.
Në fakt, në jetën tonë ka momente, kur duket se, shumëçka funksionon kundër nesh. Ngushtimi i rizkut, pengesat e shumta në jetë, përhapja e frymërave që e hutojnë njeriun për të mos jetuar një marrëdhënie të shëndoshë me Zotin, me vlerat e besimit, elementët më të mirë të qytetarisë dhe tabanit kombëtar, përditë e më shumë në lëkundje, hipokrizia, shpirtshitja, shthurja identitare etj.
Të urtët thonë: “Saherë të ndjehesh i ngushtuar, i lodhur dhe në prag dëshpërimi, merre veten tënde për dore dhe nisur drejt Zotit tënd…”. Është një e vërtetë e madhe! Është garancia më e madhe e jetës sonë, siguria absolute, shpëtimi garant!
Jeni lodhur, jeni ngushtuar, mendoni se gjërat shkojnë kundër jush, e keqja ka lidhur aleancat e veta në vrull kundër të mirës, taborrat e vjetra të së keqes janë organizuar e po shpenzojnë?
Mos u shqetësoni, jeta ka kurba të çuditshme, ndërsa besimtari, muslimani ka kurbën e vet: “Unë po shkoj aty ku më urdhëroi Zoti im, e Ai më udhëzon!”
Ky është thelbi i jetës së muslimanit, qetësia e tij, siguria e tij, optimizmi dhe forca karakteristike!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 23 tetor 2016