Regjistrimet në Medrese dhe urtia e H. Ali Korçës…

Në shkurt të vitit 1924, në numrin 5 të revistës “Zani i Naltë”, që ende s’e kishte mbushur vitin e parë të shfaqjes së saj, i nderuari Hafiz Ali Korça botoi një shkrim me titull: “Si ishim e si jemi?”

Ja se si nis ky artikull i mbushur me vlera intelektuale dhe vizione (përtej kohës së tij), teksa autori bën thirrje për gjallërimin e medesesë shqiptare, rritjen e nivelit të saj dhe fton muslimanët të edukojnë fëmijët e tyre në to.

“Ndë një vënt që mentimi logjikor ndalohet edhe zë zgjyrë, atje as një soj përparim as një farë ringjallim nuk çfaqet.

Disa vjet mê parë medesetë e myslimanëve lëshonin ato rrezet mê të shkëlqyshme të diturive e të gjithë mjeshtërive.

Medresetë asi kohe ndahëshin më disa degë edhe secili specialist (mutehassis) i ç’do farësh diturije e mjeshtërije vetëm prej medreseve delnin. Si na kallëzojnë historitë myslimane ashtu edhe frëngjishtet, shtetet perëndimore, dituritë mê të nevojçme e mê të mbrothçme i muarën vetëm prej medreseve, p.sh.: i treti Greguar Papa i Romës a nuk mbaroj medresenë e Kurtubasë?

Z. Gustav Lyboni thotë: “Në sajét të myslimanëve trashëguam qytetërimin e Romakëve dhe të Grekëve të vjetër, shumë libra të vjetra latinishte e gërqishte nuk gjinden fare, por përkthimet e tyre edhe sot janë, arabishte”.

Ulemat e atyre medreseve… çpikën busullën dhe me anën e saj i vinin qark botës… Ulemat e asaj kohe përpiqeshin me nate me ditë për të zbuluar vërtetësitë e sendeve të pshehta, p.sh.: Betaniu, në Bagdad dyzet vjet rresht u mbyll në ndërtesën yll-vërejtje (rasad-hane) dhe e çkriu jetën e tij në zbulimin e botës qiellore. Sefte ky e gjeti motin djellor q’është 365 ditë e 5 orë e disa minuta e disa të dyta…

Nuk duhet të çuditemi tek ta shohim në historitë se edhe Kristofi i famçim po në medreset e Kordovës pat vazhduar.

Nga Halifet Abbasi, Harun Rashidi, bashkëshekullarit dhe mikut të tij Sharlemanit, kur i dërgoi disa peshqeshe, midis tyre ndodhej edhe një saat tringëllim-dhënës, i cili ishte punuar me një mjeshtri fort të naltë.

Mbreti këtë saat e qiti përpara këshillës ministrore. Kur e panë që qyqeja e saatit kur këndonte e tregonte sasinë e orës, aqë gurë mirte me qipin e saj dhe i lëshonte ndë nji brimë etj, e pyetën Sharlemanin: O naltmadhësí, arabët janë mendje hollë dhe magjistarë, kemi frikë mos na kanë futur dreqin brënda, po t’urdhëronit ta hapnim e ta shihnim se ç’ka…

Me milion volyme libra t’Andaluzit të mos ishin djegur prej spanjollëve dhe të Bagdadit të mos ishin djegur nga an e Helagjusë, përparimin që po shohim sot në botë do ta kishim parë dy tre shekuj mê parë, sot kush e di se ç’shkallë do të kishim arrirë!

Ahere, bota muslimane kështu ishte, e po sot? Sot si mê keq!

Sot nuk mundim të thomi se në botët myslimane të ndodhet një medrese si e Kordovës e si e Bagdadit. Al-Azhari afron pak.

Sa për ne që ndodhemi në Shqipëri po s’i dhamë rëndësi medreses si duhet, në pak kohë kam frikë do të perëndojmë!

Dihet mirë se feja t’onë nga përparimi kurrë s’na ndalon. Kurdoherë na shtyn të punojmë, të përkrahim njëri tjetrin, të formojmë shoqëri tregëtije e gjithë farësh shoqëri mirësije.

Në fê t’onë fanatizma ësht e mallkume, dorëheqja krejt nga kjo botë është reptësisht e ndalueme…

Për ndriçimin e këtij atdheu e ka farz çdo mysliman të paguajë dhe bijtë e vetë t’i çojë në këtë medese! …”

Shkrimi vazhdon me këtë shpirt përparimtar, duke ftuar muslimanët të edukojnë fëmijët e tyre në medrese…

Sot, kur falë Zotit në Shqipëri ka më shumë se një Medrese, është e domosdoshme që të shihen me përparësi strategjike programet dhe lënda bazë e edukimit të fëmijëve me besimin në Një Zot, me ndjenjën e pastër e të thellë islame, me krenarinë legjitime të përkatësisë muslimane, me vlerësimin e kohës dhe shfytëzimin e saj, si dhe nxitja e përhershme drejt elitarizmit në komunikim e marrëdhënie me dijen, shkollën dhe tjetrin!

Natyrshëm, përgjegjësa kryesore e këtij misioni të shenjtë bie fillimisht mbi të përzgjedhurit për të qenë drejtuesit e medreseve tona, stafet pedagogjike, që duhen përzgjedhur në detaje, si dhe mbi menaxherët e vakfeve, që detyrimisht duhet të financojnë dhe të mbështesin medresetë e vendit tonë, si pasuri dhe vlerë shekullore kombëtare!

Pata dëshirë t’i shkruaj këto rreshta dhe të ndaj me ju nga bota diturore dhe urtia e Hafiz Ali Korçës, tashmë që gjithandej është hapur lajmi i fillimit të regjistrimit për vitin e ri shkollor 2016-2017, në Medresenë e Shkodrës.

Medreseja e jonë është lavdia e jonë, është tabani, është trashëgimia e brezave, është bazament identiteti, djepi i edukimit të fëmijëve tanë!

Muslimanë të dashur, fëmijët tanë duhet të edukohen në Medresenë tonë, në medresetë tona! Zoti na e ka krijuar mundësinë, ne mos ta neglizhojmë e mos të shkojmë pas thirrjeve të dreqënve të kohës..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 12 maj 2016