
Sot, qytetin e Shkodrës e vizitoi një njeri i bardhë, prej atyre që ta kujtojnë Zotin, fenë, besimin, moralin, virtytin, dijen e urtësinë, me heshtjen e tyre, me një vështrim të shoqëruar me një buzëqeshje bekuese, me një shtrëngim dore, me një shenjë, me një lutje…
Sot, qytetin e Shkodrës dhe tokën shqiptare e shkeli një njeri i bardhë, prej atyre që u flet vepra para fjalës, bardhësia para dëshmive, ngrohtësia e zërit para fjalëve të lidhura në fjali…
Sot, Shkodra u bekua me mirësi hyjnore, me praninë e një Thirrësi të palodhur islam, një burri të urtë, që dashninë e shpërndan në Thirrje, urtinë e vizaton në letër në forma harfesh që krijojnë fjali, mendime dhe ide udhëzuese në faqe librash pa fund, bukurinë e shpirtit e dhuron, si kredo sinqeriteti pa kushte…
Sot, qyteti im buzëqeshi dhe, për një moment, u duk se nga çdo cep i Shkodrës, ku dëgjohet ezani pesë herë në ditë, nga çdo lagje ku bëhet “bismilah” me psherëtima zemrash, nga çdo rrugicë ku bihet salavat e, nga çdo shtëpi ku ndizen dritat e syfyrit e falet namazi i natës; u dëgjua një selam i fortë, drejtuar vizitorit fytyrë-nur, dijetarit vizionar e largpamës, Hoxhës Osman Nuri Topbash…
Sot, teksa vështroja në sytë e tij, dukej se koha ishte ndalur dhe, si me lëvizjet e shpejtësisë së dritës, ishim takuar në prezencën e mexhliseve të Dritës, ku të parët tanë me mjekra të bardha, nuk i lëshojnë duart e njëri-tjetrit, teksa dëshmojnë forcën e besimit dhe sirret e vëllazërisë islame, duke kënduar bashkarisht e me mekame të ndryshme, një fjali të shenjtë: “Fe as’bahtum bini’metihi ikhvana”… (“Dhe me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër!”)…
Në atë prekje duarsh, ndjehej energji shekujsh, ku ne shqiptarët dhe kombe pa fund, ishim shkruar të lartësoheshim përjetësisht në mirazhet e shpirtit, në yjësitë e Nurit Islam, duke dëshmuar pastër e shqip: “Edhe unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër, pos All-llahut dhe dëshmoj se Hz. Muhammedi (a.s) është robi dhe i dërguari i Tij!”…
Sot, teksa këmbenim vështrimet e Paqes-Selam, kishim kaluar pragun e mallit, nga pas na ndiqte nostalgjia dhe para duarve tona qëndronte Drita e Besëlidhjeve të vjetra, të bekuara me vulën: “Arefte felzem!”… (“E ke kuptuar drejtë, qëndro në këtë rrugë!”)…
Sot, më mbetën ca fjalë pa thënë… Ndoshta, nuk qe shkruar të dëgjoheshin e, ndoshta, më mirë kështu… Por, sot, mbi të gjitha, teksa vështroja përtej fjalëve, që butësisht dilnin nga zemra e Hoxhës, më erdhën para syve fjalët e dijetarit sirian, Shejkh Nuruddin Itr, teksa përcillte dëshminë e Hoxhës së tij, se: “I privuar është ai, që është privuar nga bereqeti i njerëzve të kohës së tij!”…
Mirë se erdhe, Hoxhë..!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 16 maj 2016