Transmetohet se Zoti i gjithësisë i reveloi Hz. Musait (a.s): “O Musa, a ke dëshirë që të banoj me ty në banesën tënde?” – Musai (a.s), ra menjëherë në sexhde në shenjë falënderimi dhe gëzimi për këtë shpallje hyjnore. Pastaj e pyeti Zotin e gjithësisë: “Ja Rabbi, si mund të ndodhë kjo?” All-llahu i Madhëruar i tha: “O Musa, a nuk e ke mësuar se Unë jam pranë atij që më përmend dhe, se kudo që të më kërkojë robi Im, do të më gjejë!”
Jeta e jonë, si shoqëri, është e zbrazët nga përmendja e Zotit dhe leximi i Fjalës së Tij, Kur’anit. Kjo reflektohet dukshëm në përditshmërinë e marrëdhënieve tona në shoqëri, në zyra, në tregje, në rrugë, në kafene, në takime zyrtare, por, aty-këtu edhe në vetë xhamitë tona!
Fenomenet negative, që dita-ditës po legjitimohen, sidomos nga politika të djallëzuara dhe misionarët e tyre, po na thërrasin me të madhe për t’u kthyer nga Zoti, feja, besimi, Libri, profeti, udhëzimi…
Në suren “Err-Rrahman”, All-llahu i Madhëruar na jep një shkëndijë shumë të rëndësishme drejt asaj se si duhet të jetë jeta e jonë, (që realisht nuk është): “Mëshiruesi (Zoti ynë) – u mësoi Kur’anin – krijoi njeriun – e mësoi atë të shprehet” – (Kur’ani, Err-Rrahman: 1-4)
Ndiqeni me vëmendje këtë renditje: Zoti – mësimi i Kur’anit – krijimi i njeriut – mësimi i tij që të shprehet e të flasë! Pra, Zoti ynë i dha përparësi mësimit të Kur’anit, para krijimit të njeriut, si për të na sqaruar se njeriu pa Kur’an nuk ka kuptim as vlerë; as jeta e tij, as veprimtaria e tij, as lëvizja, as pasiviteti në jetë, asgjë prej gjëje!
Njësoj si treni, që nuk ka asnjë vlerë, nëse nuk ka shina të forta e të qëndrueshme, mbi të cilat të lëvizë i sigurtë. Shpesh, kur shohim ndonjë makinë luksi në rrugët tona, themi: “Asht gjynah kjo makinë me shkelë në këto rrugë!”
Edhe njeriu, të dashurit e mi, asht gjynah të shkelë në rrugë të ndaluara, në harame, në idhujtari, në imoralitet, në shthurje, në korrupsion, në kumar, në alkool, në mosrespektim të kohës, në terror, në dhunë, në ekstremizëm, në smirë, në zili, në mashtrim, në gënjeshtër, në punë të fëlliqta të shejtanit, për të cilat qeveritë tona shpenzojnë miliona euro harami!
Asht gjynah që krijesa më e përsosur e Zotit të jetojë në hutim, larg Zotit, tek i Cili do të kthehet, i Cili i ka dhënë jetën, rizkun, shëndetin, çdo të mirë të pallogaritur… Asht gjynah që njeriu të mos kthehet nga Kur’ani, në të cilin thuhet: “Ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e përsosura” – (Kur’ani, El-Isra: 9)
Udhëzon drejt çdo gjëje të dobishme dhe përsosmërie në jetë; në tregëti, në shëndet, në familje, në ndërgjegje, në moral, në zanate, në histori, në shkenca e dituri, në gjithçka!
Pyetja që shtrohet në këtë rast është se përse ne, muslimanët e kësaj kohe, nuk i japim hakun e duhur Fjalës së Zotit? Pse nuk e lexojmë Kur’anin? (Nuk dua të them këtu, se “Kur’ani ka zbritur për të gjallët, jo për t’iu lexuar të vdekurve, as për rafte e bereqet”, sepse i ka dalë boja kësaj retorike pa dobi)
Ajo që dua të them, sot para jush, është se ne, muslimanët e kësaj kohe, jemi të sëmurë, lëngojmë, kemi nevojë për shërim të mendimeve, ideve, vizioneve, analizave ekuilibrave!
Në ajetin 30 të sures “El-Furkan”, ndodhet një ajet i frikshëm, ku thuhet: [I dërguari tha: “O Zoti imi, vërtetë populli im e konsideroi këtë Kur’an si (diçka) të hedhur!”], pra e braktisi.
Po, sepse braktisja e Kur’anit është braktisje e leximit të tij, braktisje e kuptimit të tij, braktisje e të punuarit me të në jetë, duke respektuar urdhëresat dhe duke u ndaluar tek ndalesat: hallalli, hallall, harami, haram. Kamata, kamatë, derri, derr, alkooli, alkool, mashtrimi, mashtrim! Gënjeshtra, gënjeshtër, kurvnia, kurvni, shirku, shirk!
Prandaj, muslimani që e vlerëson Fjalën e Zotit në jetë, jeton paqësisht me Zotin, me veten, me tjetrin, (kushdo qoftë tjetri). Këtë model muslimani e karakterizon humanizmi, mëshira, dinjiteti, krenaria, pastërtia, adhurimi, drejtësia, nderi!
Për këtë, thotë në Kur’anin Famëlartë: “Atyre, të cilëve u dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejtë ashtu si është, ata e besojnë atë (Kur’anin). E ata që e mohojnë atë, të tillët janë ata që dështuan (në dynja e në ahiret).” – (Kur’ani, El-Bekare: 121)
Leximi i drejtë nuk nënkupton texhvidin, idgamin e idhharin e tij, por praktikimin e tij në jetë. Sepse, kur e lexon si duhet recetën e mjekut, vrapon të blesh ilaçet. Por, nëse e lexon recetën me gjuhë letrare, madje paguan edhe një aktor për ta recituar dhe interpretuar atë, por pa i marrë ilaçet, as shërohesh, as konsiderohesh njeri normal në veprimin tënd!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 20 qershor 2016