Meditime (51)

"Kështu ndodh, kur veshi bëhet gjuhë!"...

“Kështu ndodh, kur veshi bëhet gjuhë!”…

Stambolli ishte zbardhur nga dëbora. Ishte dimër, prej atyre, që përherë më ngjallin nostalgjinë e dimreve të hershme të viteve të fëmijërisë në Shkodër, kur nadje herët, baba, rahmet pastë, që dilte herët për në punë, më sillte me biçikletë tek Nana Bafte e, unë, gati i përgjumur, mezi prisja të strukesha në prehrin e Saj…

Me zërin e butë, si melodi andrrash, më merrte me të mirë, më kruante kokën e se çfarë më këndonte, nuk e di, por si ai gjumë e ajo prehje nuk kujtoj të kem përjetuar më në jetë… Era e mirë e duarve të Saj, zëri i butë, ngrohtësia e përqafimit e lutjet e heshtura të zemrës, më shtronin rrugën drejt një bote, që ishte dhe mbeti andërr e dëshiruar…

Akoma sot, marr të largohem e të kthehem në atë prehër, duke kthyer pas shiritin e memories, ku sërish shfaqet Baba, Nana e Gjyshi, qetësia e zanit të saj, buzëqeshja e Gjyshit fjalëpak e stoik, ëmbëlsia e dashnisë që më falte, prekjet e bekimeve që pulsonin përqafimet e lutjet e Nanës… O Zot, mëshiroji, sa njerëz fisnikë e zemërdritë që ishin!

Ndërkohë, soba me dru në dhomën ku ndodheshim më kujtonte fëmijërinë në Shkodër, kur shpesh, sidomos fundjavave, zgjohesha herët me gjyshin, për të ndezur shporetin…

E kujtoj si tani momentin, kur më qëndronte mbi kokë, më udhëzonte për vendosjen e ashklave, në mënyrë që ndezja e drunjve, të kapte me të parën. Kishte durim gjyshi dhe i shijonte ajo që bëja, edhe pse nuk e shprehte me fjalë të shumta, porse fytyra e tij e qeshur dhe vështrimet bekuese, ma mbushnin zemrën me krenari, si ajo e fitimtarëve në beteja! (Prej gjyshit mësova të flas pa harfe.., rahmet pastë!)

Ishin kohë e kushte ndryshe nga e sotmja e fëmijëve të mi, por prania e Gjyshit dhe e Nanës, me përshpirtjen dhe botën e tyre, peshonte për mua sa për tanë botën…

Haxhiu i moshur arnaut, në shtëpinë e të cilit ishim miq, më fliste me shumë respekt. Ishin vitet e para pas diplomimit tim. Kur thoje se jam diplomuar në Sham Sherifë, nuk po thoje pak!

Papritur, teksa po kuvendonim për çështje të besimit e të fesë, në bisedë u fut edhe dikush tjetër jo i fushës, madje me insistim, si këmbëngulja e atyre që duan të imponohen aty ku nuk është vendi i tyre..!?

Për respekt të zotnisë së moshuar, të zotit të shtëpisë, unë nuk fola më, edhe pse mund të flisja shumë, por…

Zotëria e tij, (rahmet pastë, sot nuk jeton më), duke e kapur situatën në dorë, me një të qeshur prej njeriu të urtë, tha: “Kështu ndodh, kur veshi bëhet gjuhë!”, dhe hodhi sytë nga unë duke qeshur me fytyrën që i kishte marrë formë e pamje dielli..!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Mekë, 12 gusht 2019
Shkodër, 12 gusht 2021