Le të vijë çfarë të vijë, se veç e mira vjen prej Teje!

Sa jemi shëndosh e mirë, shpesh e harrojmë hakun e falënderimit, thjeshtë për shëndetin, pra, të themi: Falemnderit Zoti im, për shëndetin e mirë! Harrojmë..!? Po ato veç dy fjalë janë, jo dy vëllime recitim!? Ja pra, as ato nuk i themi, nga rëndesat e fjalëve të përditshme që marrim e japim..! (I ngrati ai që i harrohet falënderimi dhe mirënjohja në jetë!?)

A thua se kemi punët e krejt botës mbi supe… Pastaj, një lëvizje e vogël këtu e një atje, kur e gjejmë veten sërish në shtrat. Jo për të bërë gjumin e përditshëm a pushimet rutine, herë me rregull e herë pa të.., jo, jo! Sërish, diçka nuk shkon me shëndetin!

O Zot! Temperaturë, dhimbje, lodhje, sy që djegin, prishje e ekuilibrit të humorit, humbje e shijes, plogështi, marramendje, padurim… Allah, Allah..!

(Dhe një mori hamendësimesh, që sillen e vërtiten përreth mendjes, si për t’u dëshmuar aleatë të zellshëm të të padukshmes që na ka prishur siranë..!?)

Sërish në shtrat e sërish nevojtarë për t’u ngritur në këmbë, të shoqëruar nga dhimbja e fryma që na merret, drejt një vendi ku mund të merret abdes.., drejt sexhades.., drejt kibles.., drejt namazit.., dhe, pa fjalë e mes dhimbjesh, zhgënjyer nga vetja, trokasim në dyert e mëshirës, duke thirrur Atë, që na ka garantuar (jashtë çdo merite nga ana e jonë), se dera do të hapet nëpërmjet një kodi ezelit, shumë të thjeshtë e të mbarë për këdo, pa përjashtim: “Lutmuni Mua, Unë do t’ju përgjigjem!”… e prerë: “Unë do t’ju përgjigjem!”.

I ngrati njeri, gënjehet pas hijeve të përkohshme, kapet pas tyre, i dorëzohet e gati-gati i shenjtëron, duke harruar Dhuruesin e jetës, Garantuesin e rizkut, Mbrojtësin nga çdo e keqe, Begatuesin me mirësi, Furnizuesin pa lodhje, Krijuesin e diellit dhe rrezes, hanës e feksimit të saj.., i ngrati, që s’zu mend një herë!

Sërish në shtrat, sërish në kllapat e pastrimit nga gjynahet, sërish përballë pasqyrës së të vërtetës së madhe; paaftësisë për t’u përballur deri me një virus a infeksion, një mikrob a një krijesë krejtësisht të papërfillshme e thuajse inekzistente (që po të mos ishte sforcimi për të shpikur mikroskopë e pajisje të zhvilluara për mbikqyrjen dhe studimin e një bote të panjohur për shumicën dërrmuese, as që do dinim se çfarë po ndodh e çfarë kemi?!), krejt fillikat, si një udhëtar i izoluar në një korridor tranziti.., në një pritje të pakufizuar…

A do hapet dera? A do vazhdojë udhëtimi? A do vonohet dhe, për pasojë, shumë plane do prishen? A do anullohet? Çfarë ndodh më pas..? Krejt gajb! Gajb! E panjohur! E paditur! E pallogaritur!

Zot, të qofshim falë, që s’na braktis me mëshirën dhe bekimet e Tua, edhe kur më të dashurit e më të shtrenjtët lodhen, s’durojnë më, hutohen diku tjetër a me diçka larg nesh, … dhe kanë të drejtë! Gjithkush sprovohet nga një mikrob, tamam si ari i pastër nga metali me ngjyrë..! Gjithkush sprovohet në një moment të papritur, si udhëtari në një korridor të heshtur e plot tension..!?

Zot, të qofshim falë, që me butësinë Tënde, edhe pse jemi hutuar e rrugëtojmë në devijim, vazhdon të na begatosh me rizkun Tënd, të na falësh jetë, dritën e syrit, frymën e shqisat, mendjen e rrahjet e zemrës, çdo gjë të ditur e të paditur për ne, si për të na thënë e rithënë: “Nga po shkoni?”, teksa Madhëria Jote na dëshmon nëpërmjet gjuhës së Ma të Dashtunit Pejgamber: “Robi Im! … nëse ti më vjen duke ecur, Unë të vij me vrap!”…

Allah, Allah, të qofshim falë Zoti im!

Ty të takon falënderimi e, tek Madhnia Jote është prehja! Pastaj, le të vijë çfarë të vijë, se veç e mira vjen prej Teje!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari

Shkodër, 5 janar 2021