Elhamdulilah që është zbuluar fotografimi!

Ndalem para një fotoje, ku diku dallohet imazhi im. Nuk jam më ai që duket në foto, as jam më aty ku isha. Nuk jam më ai që isha, as ndjej më siç ndjeja asokohe. Nuk jam e nuk jam.., por jam unë, ai i fotos!

Sa vite kanë kaluar. Sa gjendje kanë ndryshuar. Sa njerëz janë transformuar. Sa të mirë kanë ngelur shenjë bekimi. Sa të pazhurmshëm kanë ngelur akoma gjurmë qetësie. Sa të afërm janë larguar e sa të largët janë afruar. Sa të dashur ngelën kujtim në një shkrepje e sa shkrepje nuk arritën dot të lartësojnë në gradën e të dashurve sa e sa personazhe shkrepjesh. Sa shumë mendime e sa pak kohë, sa pak hapësirë shijimi e sa shumë ndjesi malli përballë një fotoje të heshtur, sa një botë që rrugëton sipas rregullit të saj drejt kaderit të përcaktuar.

Elhamdulilah që është zbuluar fotografimi! Të lejon të shohësh në sy fiksime çastesh, ku do të dëshiroje të ndalej edhe koha në atë moment, a do të doje të përhapej gjithandej drita dhe shija e atij përjetimi, a do të doje që dielli në atë shkrepje të mos perëndonte më e hana të mos shfaqej më nga xhelozia për bukurinë e saj, a do të doje…

Hap një foto. Shoh edhe një tjetër. Prek kujtimet, që më nuk kthehen. Mbushem me frymë dhe lutem për atë çast dhe hijet e fiksuara në atë shkrepje. Dikush ka ikur përtej horizonteve të exhelit, dikush rrugëton shtigjeve të panjohura të kaderit, dikush përpiqet në luftë me veten, dikush noton në orbitën e përzgjedhjeve të reja, dikush.., dikush..!

Elhamdulilah që është zbuluar fotografimi, për të parë veten, herë pas here, në pasqyrën e të dukshmes së fiksuar në një shkrepje kalimtare.., si për të parë veten në peshoren e çasteve, kujtimeve, të shkuarës dhe të momentit që jetohet..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 21/12/2022