Në orbitën e Natës së Kadrit…

Nata e Kadrit është mundësi zgjimi… Nga hutimi, nga egoizmi, nga vetëkënaqësia, nga dëshira për t’u dukur ç’ka realisht nuk jemi, për t’u pastruar nga hilet, hipokrizia, varfëria e shpirtit, rendja pas botës, ndjenjat e madhështisë dhe ato të diktatorit të fshehur brenda nefseve të sëmura…

Nata e Kadrit, ajo që vlen sa njëmijë muaj, në fakt është një prag pendimi, ku vullnetmirët mund të ulin kokën, me bindje absolute, se e shkuara nuk vlen më shumë se një kujtim i errët, që trazon shpirtin e kthyer nga kibla e së vërtetës…

Nata e Kadrit është Nata e besës, jo e ekspozimit si besimtarë të devotshëm, që nuk prezantojnë dot as sabahun me xhematin e xhamisë më të afërt, pas një nate të kaluar zgjuar, në cepat e xhamive…

Nata e Kadrit është thirrje e heshtur shpirti, që përsërit me të madhe, teksa lexon suren me të njëjtin emër, se muslimanët janë njerëz me peshë, njerëz KADRI..! Se muslimanët jetojnë me peshë e vdesin me peshë, se janë njerëz KADRI..! Se muslimanët mund të përulen, mund të mashtrohen, mund të thyhen e mund të prekin edhe kufijtë e vdekjes, por.., muslimanët janë bartësit e sures së KADRIT, sures së rizgjimit e rimëkëmbjes së krejt jetës së tyre..! Se muslimanët, nuk mund ta humbin asnjëherë shpresën e tyre në përkrahjen hyjnore nga Zoti i Kur’anit, Inxhilit, Teuratit, Zeburit e Sahifeve të shkuara, ku e vërteta është NJË, ashtu si vetë ZOTI i saj, ZOTI i krejt gjithësisë dhe Mbikqyrësi i saj i vërtetë..!

Nata e Kadrit është stacion shpirtrash, prej atyre që besojnë se kjo katrahurë ku jetojmë, (ku Zoti është bërë tregëti, ku matrapazët e jetës mbajnë predikime me Zot e fjalë të urtësh të shkuar shekullorë, ku të drejtët heshtin nga frika, ku hipokrizia dhe servilizmi është kthyer në levë fati, për mashtrues historie e feje, që duan me çdo kusht të imponohen, si trend, në një kohë me njerëz të hutuar, pa busull udhëzimi…), e ka një fund, si krejt zullumet e historisë së afërt e të largët… Se ende ka mundësi e shpresë për t’u ngritur në këmbë..!

Nata e Kadrit është Nata e takimit me Mikun më të shtrenjtë të qiellit, Xhibril Eminin, në një përshpirtje që zgjon nga grahmat e vdekjes së pandershme, ndjenat fisnike, që i kanë rezistuar harbimit të shfrenuar të nefsit me arrogancën e tij…

Nata e Kadrit është Nata e ZGJIMIT, për të dëshmuar me duart lart, se nuk ka Zot tjetër pos All-llahut dhe, për të kapur me ato duar, që kurrë nuk dridhen, “fatet” e Jetës që vijon…

Për të dëshmuar haptas e pa frikë, se NE JEMI MUSLIMANË, TË THIRRUR NGA ZOTI I GJITHËSISË PËR TA NDËRTUAR JETËN, SI PRIJËS TË SAJ, MBROJTËS TË SAJ, TË PANËNSHTRUAR PARA ERRËSIRAVE,
RRUGËTUES ME DINJITET DREJT MËSHIRËS DHE KËNAQËSISË SË ZOTIT NJË, ALL-LLAHUT MËSHIRËPLOTË!

Nata e Kadrit, ky sekret i madh, që zgjon krenarinë e besimit, veshur me prekje melekësh, drejt Kadereve të pakthyeshme, drejt Lavdisë shekullore të premtuar…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 2 korrik 2016