Guri i varrit i Hafiz Tahirit dhe xhamia e re në Krye-Bushat…

Ditën e sotme u kënaqa me pamjen e xhamisë se re në Krye-Bushat, teksa ajo hedh shtat dita-ditës, duke i dhënë jetë vakëfit tonë në atë zonë, ish-varrezë e harruar, zonë tamahi për ndonjë “nijet-mirë”, por edhe zonë historike, ku gjenden rrënojat e xhamisë së vjetër…

Subhanallah, ndërtimi i çdo xhamie të re ka gëzim, dhuron shpresë, fal optimizëm, sjell hare. E ndjen në çdo hap që bën drejt saj, në çdo frymëmarrje, në çdo lutje, në çdo vështrim drejt saj, pas të cilit shprehja: “Mashallah”, të del vetvetiu nga thellësia e shpirtit…

Bushati është një zonë muslimane, ku pushtetet e 26 viteve të fundit i kanë mënjanuar muslimanët, i kanë lënë pas dore, (si gjithandej xhanëm)… Por, përtej hileve të pushtetit, politikës dhe dredhave të tyre, ata kanë ditur të mbijetojnë e të mos humbin tabanin e vlerave shekullore, falë të cilave, Bushati ka ngelur minare teuhidi dhe shenjë udhëzimi në hartën e Islamit në vendin tonë…

Ditën e sotme përjetova edhe një emocion, që u shoqërua me një mesazh, që e lexova përtej fjalëve të gdhendura në një gur varri, diku aty afër xhamisë së re…

Prej vitesh, merrem me studimin dhe arkivimin e gurëve të varreve muslimane, sidomos të atyre që bartin shenja e gjurmë qytetëruese nga shekujt e largët, edhe përtej periudhës osmane. Zona e Shkodrës është e rrethuar me gjurmë e argumente të heshtura e të mbuluara nga shkurret e ferrat, harresa e qëllimshme, por edhe ajo neglizhente, padituria e mungesa e interesit për gjurmët dhe historinë… (Për pasojë, historinë na e shkruajnë trillues, që i bëjmë heronj, mashtrues, që u thurrim lavde, hileqarë genetikë, që i përjetësojmë edhe në emërtime rrugësh, sheshesh a institucionesh!? Por, nuk është ky, momenti i kësaj teme…)

Diku afër xhamisë, në drejtim të kibles pushonte një gur varri, i mbuluar nga balta, ndonëse asgjë s’e përbaltë atë lloj guri dhe emocionin që ai fsheh… Vëllezërit aty pranë, All-llahu i shpërbleftë, e morën dhe ma sollën para duarve. E preka, nisa ta pastroj e të ndjej kënaqësinë që të dhuron ky moment… (Ndoshta dikush s’e kupton këtë gjuhë që po flas, por, jam i detyruar ta thjeshtësoj)

Dalëngadalë, nisën të shafqen fjalët e para dhe emri i personit… “Ishim si ju dhe do të bëheni si ne! I mëshiruari, Hafiz Tahir…”

Mbajta frymën. Ishte një Hafiz Kur’ani, emri i të cilit, as që rezulton në listat e gjata të imamëve dhe hafizëve të shumtë të shërbyesve të Fjalës së All-llahut në Shkodër…

I çova rahmet dhe mora një mesazh të shtrenjtë, aty, me gurin e varrit të Hafiz Tahirit të moçëm rahmetli, bri xhamisë së re që dritëson… Si për të na thënë, se ky Islam dhe kjo mrekulli besimi, nuk shuhet kurrë në këto troje, ripërtërihet, trashëgohet, përqafohet nga brezat e rinj dhe ngelet kredo shpirti për bijtë e shqipes, që fluturon lart në hapësirat qiellore, në mirazhet e identitetit të vulosur përjetësisht me: “La ilahe il-lall-llah Muhammedun Resulull-llah”…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 19 korrik 2016