“… sepse edhe Ai më vizitoi mua kur isha në burg!..”

(Pasdite te një plak i urtë 95 vjeçar…)

Trokita në derë. Ajo u hap dhe para meje qëndronte një plak fytyrëqeshur, me dy paterica dhe me një palë syze të mëdha.
“Kushedi sa është numri i tyre”, – mendova në çast. Kushedi sa e sa fytyra do të kenë parë ato sy deri më sot, sa do të jenë lodhur deri në atë masë, sa…

“Në qershor lashë pas 95 vite”- nisi bisedën plaku i urtë që me një mendje të shkëlqyer jep e merr, dialogon e tregon dhembjet e një jetë të gjymtuar nga mizoria komuniste.

“Më futën në një dhomë të errët e plot ujë, në një natë të ftohtë, ku temperatura shkonte në zero… Djali më i fortë në atë burg, s’duronte më shumë se 24 orë në atë dhomë… Aty kalova plot 29 ditë…Më ka ruajtur Zoti (xh.sh) dhe sot jam gjallë”- vazhdon të më tregojë plaku i urtë, që ka hequr sa nuk ka hequr njeri mbi kurriz në kampet e diktaturës famëkeqe shqiptare…

“Vetëm Zotin kisha! Atij iu luta duke i thënë: “O Zot vetëm Ty të kam, mbështetem në Ty…”, pastaj e di se kam shkuar deri në koma dhe më ka shpëtuar Resulull- llahu… Më erdhi te koka e shtratit, ashtu, me flokë të zeza, me sy të zinj, me një nur që i dilte nga fytyra… siç e përshkruajnë librat, – dhe më tha: “Ke shpëtuar! Në të vërtetë Zoti (xh.sh) ma kishte dërguar si mbështetje në momentet më të vështira të jetës sime…”- vazhdoi plaku i vjetër, duke trazuar kujtimet e rinisë së tij të dhimbshme, të rinisë së djegur…

“Në vitet e demokracisë arrita të marr disa para si kompensim për burgun. Dëshira ime ishte të shkoja në haxh. Kështu me paterica ishte e vështirë… I thashë Haxhi Sylos (pastë rahmet) të bënte një haxh bedel për mua, por ai ma ktheu se do të shkonte atë vit në haxh për babën e tij… “Ja paret dhe haxhin e babës bëje një vit tjetër”- i thashë… Pasi u konsultua me Hafiz Sabrinë, pranoi dhe në atë vit e bëri haxhin për mua… Dëshirë pata Ta vizitoj edhe unë në shtëpinë e Tij, sepse edhe Ai më vizitoi mua kur isha në burg!..”- thotë plaku i urtë, duke më treguar për gëzimin e tij për kryerjen e haxhit bedel dhe brengën e tij njëkohësisht për mosvizitën e Mbrojtësit të tij, në “shtëpinë” e Tij …

Biseda jonë vazhdoi gjatë. Nga plaku i urtë e besimtar mësova shumë gjëra, për të cilat një i ri ka shumë nevojë, kushdo që të jetë, sepse ndodh shpesh që eksperienca e viteve është “shkollë jete” e vlen më shumë se dija, për të parë në pasqyrën e realitetit ndodhitë e jetës, për t’i kuptuar e për t’i analizuar më pas, ato…

“Kam probleme me spondlialtrozën…,- u ankua plaku. Mjeku më ka thënë të rri i shtrirë, por unë s’ja dëgjoj fjalën përherë, dua të falem… E di mirë se edhe 80 herë në ditë po të falem, nuk e shlyej borxhin e madh që kam me Zotin… Po të pyes, a bën të falem duke qenë i shtrirë a i mbështetur?”

Pastaj më hodhi shikimin e tij nëpërmjet syzeve të mëdha. Priste një përgjigje. I thashë se mund të falej edhe i shtrirë… edhe me lëvizjen e syve po të kishte nevojë… E pashë që u gëzua, më uroi dhe me një buzëqeshje të ëmbël, kushedi se ku u largua në mendimet e tij, kushedi se në ç’portë trokiti, veç Zoti e di se ku “udhëtoi” me mendimet e tij… Me urtësinë e tij u kthye sërish tek bashkëbisedimi ynë, për të më uruar sërish e sërish…

Mora leje të largohem. Iu luta që mos të lëvizte nga vendi, por refuzoi… Doli deri te dera e shtëpisë të më përcillte, ashtu i mbështetur në dy miqtë e tij të mirë, patericat e vjetra…

Para disa ditësh, e takova përsëri plakun e urtë 95 vjeçar. Biseduam, tashmë si dy miq të vjetër. Më bëri përshtypje një fjalë e tij: “Këtë botë s’e jap as për një lek…ajo s’vlen gjë…”, e cila më kujtoi hadithin e Profetit (a.s) që ndër të tjera thotë: “…dhe jeto në këtë botë sikur do të vdesësh nesër”… Fjala e këtij njeriu ishte praktikë e sinqertë e këtij citati të vjetër e të shenjtë… Ai e kishte kthyer në gjak zemre atë hadith… Tashmë zemra e tij rrihte me të…

Pothuajse çdo ditë e shoh teksa del nga shtëpia e tij dhe drejtohet për nga xhamia… I urtë si vetë mosha e tij, me hapa të ngadaltë sikur nuk don të prishë qetësinë e askujt, ai shkon drejt shpirtërores… Por, çdo ditë e më shumë ai me hapat e tij largohet, po i urtë, nga kjo botë, drejt hyjnores…

Me siguri një jetë më e mirë e pret nesër, plakun e urtë Abdullah Salihi, te “Resulull-llahu që i shpëtoi jetën”- sikurse e thotë vetë…

Dhe në çast i kujtohen ato fjalë, që s’i heq nga goja edhe sot e kësaj dite, që i tha në një moment të vështirë të jetës, ku përkoi me rininë e tij të hershme, rininë që gjithkush don ta jetojë: “Vetëm Zotin kisha… O Zot vetëm Ty të kam, mbështetem në Ty!”…

…………….
Shënim:

Kujtimet e lartpërmendura i kam shkruar më 4 tetor 2004, 12 vite më parë. Nuk e kam zakon të përsëris publikimin e shkrimeve të mia, vetëm se në raste përmirësimesh e shtesash, kryesisht në studime të ndryshme të fushës sime.

Shkrimin e mësipërm pata dëshirë të madhe ta ripublikoj, (me ndonjë rregullim të vogël nga botimi i dikurshëm në një prej librave të mi), edhe për të kujtuar me shumë respekt dhe përulje, plakun e urtë të Kabashit, komshiun dhe xhematin tim të vjetër të xhamisë Tophanë, Haxhi Abdullah Salihin, (tashmë në rahmetin e All-llahut ), një prej njerëzve të bardhë, burrnor, durimtar, denjësisht musliman, shqiptar fisnik, i veshur me urti e virtyte, që radhë mund të bashkohen në imazhin e një burri… Ishte mirësi prej All-llahut, që më takoi me zotninë e tij, për të përfituar shumë e, për të ruajtur në zemër e memorie, kujtimet më të mira dhe respektin më të madh.

Mbi të gjitha, shembulli dhe sakrifica e H. Abdullah Salihit, ngelen për mua shembull i muslimanit burrnor, që nuk ka forcë pushteti tradhëtar i kombit të vet në botë, që e thyen, që e mposht a e hesht zemrën dhe forcën e identitetit të tij islam!

Vlen edhe për sot ky përkufizim, kur ne muslimanët përballemi me turlitakam pabesishë, tradhëtishë e përpjekjesh të ulëta, të angazhuara në aleanca çakejsh, kundër nesh; interesave tona, të fëmijëve tanë, të ardhmes tonë! “Ata thurrin plane, e All-llahu i asgjëson, se All-llahu është Ai që më së i miri që asgjëson (dredhitë)!”, sikurse urdhëron në Kur’an!..

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 10 tetor 2016