Besimi duhet të shoqërohet me vepra të mira, që e forcojnë, me sjellje të mira e fisnike, që e pastrojnë, me cilësi të lavdrueshme, që e mbështesin dhe e zhvillojnë!
Nuk është përmendur besimi në Kur’anin Famëlartë, veçse i shoqëruar me veprën e mirë, si udhëzim për ne dhe tërheqje vëmendjeje, se ata të dy janë ortakë që nuk ndahen, dy binjakë që nuk largohen nga njëri-tjetri dhe, se vepra e mirë është pjesë e besimit. “Ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira”.
PREJ CILËSIVE TË BESIMTARIT NË KUR’AN
All-llahu i Madhëruar, thotë: “Është e sigurtë se kanë shpëtuar besimtarët. – Ata të cilët janë të përulur dhe janë të kujdesshëm gjatë faljes së namazit. – Edhe ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë). – Edhe ata të cilët rregullisht japin zekatin. – Edhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime). Me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar. – E kush kërkon përtej tyre (dëfrim nga të ndaluarat), të tillët janë ata që e kanë shkelur normat e caktuara. – Dhe ata të cilët me kujdes i ruajnë ato që u janë besuar (sende ose fjalë), e ruajnë edhe premtimin e dhënë. – Të tillët janë ata, trashëgimtarët. – Të cilët e trashëgojnë Firdeusin, aty do të jenë përgjithmonë.” – (Kur’ani, El-Mu’minune: 1-11)
Poashtu thotë: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve, kur përmendet All-llahu, u rrënqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre. – Dhe, të cilët falin (rregullisht) namazin dhe, nga ajo me çka Ne i furnizuam, ata japin.” – (Kur’ani, El-Enfal: 2-3) Etj.
Po të kthehemi tek përkufizimi i besimit, që është: “Vërtetim me shpirt, dëshmim me gjuhë dhe sjellje sipas rregullave”, mësojmë se sjellja apo vepra e mirë, është pjesë prej pjesëve të tij, gjurmë prej gjurmëve të tij, shfaqje prej shfaqjeve të tij, fryt prej fryteve të tij!
Vepra e mirë është njësoj si ushqimi për pemën, apo si energjia elektrike për kabllot; me vazhdimësinë e ushqimit, pema mbetet në jetë, lulëzon dhe zbukurohet, sikurse me praninë e energjisë elektrike shfaqen gjurmët e saj në kabllo, si nxehtësia, forca magnetike dhe ajo kimike.
ARGUMENTI PASON PRETENDIMIN
Suvejd El-Ezdi, tregon: “Isha pjesë e një delegacioni prej shtatë vetash nga populli im, për tek Resulull-llahu (a.s). Kur hymë në prezencën e tij dhe i folëm, i pëlqeu ajo që pa nga serioziteti dhe veshjet tona dhe na pyeti: “Kush jeni ju?” – I thamë: Besimtarë! – Tha: “Çdo fjalë bazohet mbi një vërtetësi. Cila është vërtetësia e fjalës tuaj dhe e besimit tuaj?” – I thamë: Pesëmbëdhjetë pika; pesë, në të cilat besojmë, pesë, me të cilat punojmë dhe pesë, që i kemi moral që nga koha e injorancës (para Islamit), akoma i praktikojmë. Nëse ty nuk të pëlqejnë, nuk i veprojmë më!
Resulull-llahu (a.s) u tha: “Më tregoni për to!” – Thanë: Pesë të besimit janë: ne i besojmë All-llahut, melekëve të Tij, Librave të Tij, të dërguarve të Tij, si dhe në ringjalljen pas vdekjes.
Ndërsa pesë të punës janë: të dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër, pos All-llahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij, të falim namazin, të japim zekatin, të agjërojmë Ramazanin dhe të bëjmë haxh Shtëpinë (Qaben), po na u mundësua rruga drejt Saj.
Ndërsa pesë të periudhës së injorancës janë: falënderimi në begati, durimi në fatkeqësi, pranimi i fatit të hidhur, sinqeriteti dhe qëndrueshmëria në luftë dhe në betejë dhe mos gëzimi me fatkeqësinë e armikut.
Dhe, nga gëzimi i madh i Resulull-llahut (a.s) për ta, besimin e tyre të pastër dhe natyrën e tyre të paqtë, tha: “Ju jeni të urtë, të ditur, shumë të zgjuar, desh u bëtë profetë! Edhe unë po ju shtoj pesë pika, që t’ju bëhen njëzet, nëse jeni siç thoni: Mos grumbulloni çfarë nuk e hani! Mos ndërtoni çfarë nuk e banoni! Mos konkuroni në diçka, për të cilën, nesër do të shuheni! Kijeni frikë All-llahun, tek i Cili do të ktheheni dhe para të Cilit do të ekspozoheni! Ruajeni fort atë, drejt të cilit do të shkoni dhe ku do të përjetësoheni!”
Pastaj, u larguan, pasi e kishin mësur përmendësh porosinë e tij dhe e vepruan atë, All-llahu qoftë i kënaqur me krejt ata!”
Përktheu nga arabishtja, nga libri me titull:
“Mbrojtja e besimit nga rrëshqitjet e gjuhës”,
i dijetarit të shquar, Shejkh Muhammed Edib Kelkel (1934-2016)
dhe përshtati në shqip
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 10 maj 2016