Ai që humbet vetveten, si mund ta gjejë atë tek të tjerët?!

Nuk ka më keq sesa tri të këqija, me të cilat goditet ymmeti islam:

1. Harresa e Islamit, a neglizhenca ndaj tij.

Dhe, me Islam nënkuptoj besimin me të cilin erdhi Islami në doktrinë, në fjalë, në vepra, në sjellje dhe në moral.

Sepse ymmeti, nëse e harron Islamin e tij, do të kërkojë për një tjetër fé dhe për një tjetër besim, që në vetvete do të jetë kapriço kote dhe humbje shkatërruese: “Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos iluzione, e si po ia ktheni shpinën (të vërtetës)?” – (Junus: 32), “… e ata që i besuan të kotës e nuk e besuan All-llahun, ata janë të humburit!” – (El-Ankebut: 52). Pastaj, do të përpëlitet në kapriço dhe kotësi, duke mos pasur qëndrueshmëri në pjekuri dhe duke mos u udhëzuar drejt së mirës…

2. Harresa e të shkuarës, a neglizhenca ndaj tij.

Dhe, me të shkuarën nënkuptoj të shkuarën e muslimanëve në kohën e Resulull-llahut (a.s), sahabëve të tij të nderuar, pasuesve të tyre dhe ata që vazhduan rrugën e tyre në lindje të tokës dhe në perëndim të saj. Fisnikërimin që morën nga All-llahu i Madhëruar, nëpërmjet jetës së lumtur në këtë botë dhe trashëgiminë që i lanë fëmijëve të tyre: lavdinë e pashuar dhe pasuritë, të cilat nuk arrihen as në ëndrrat e shumë shteteve së bashku, në të shkuarën dhe në sotmen!

Nëse ymmeti harron të shkuarën e vet, nis të hedhë shikimet tek ajo çfarë kanë të tjerët dhe çfarë posedojnë!? Dhe, kësisoj, nis të jetojë anash tyre, e përulur, e nënçmuar, e përhumbur! Sa bukur e ka thënë i urti: “Kush humbet të shkuarën e tij, hutohet!”…

3. Harresa e vetvetes, a neglizhenca ndaj saj.

Dhe, me vetveten nënkuptoj faktin se ymmeti islam është një shoqëri islame; islame në mendim e në zemër, në gjuhë e në fjalë, në vepra e në gjendje, në sjellje dhe në metodologji!

Dhe, kur ymmeti harron vetveten, do të thotë se ka humbur çdo gjë! Do të thotë të kthehet në një pupël në krahët e erërave, që e përkundin sa nga lindja, sa nga perëndimi e sa nga pas.., derisa ta hedhin në një moçal të pistë, mbi sipërfaqen e ujit të ndotur! Ose, në një labirinth devijues, duke mos ditur se kush e shtyn dhe kush e tërheq dhe, njëherazi, mbetet i paaftë të ngrejë dhe kokën për të thënë: Unë jam një degëz nga oazi i kësaj bote, më ktheni tek nëna ime! Unë jam një lot nga rrjedha e lumturisë, më ktheni tek burimi im!

Ai që humbet vetveten, si mund ta gjejë atë tek të tjerët?!

Ky është qëllimi i armiqve të Islamit prej qindra vitesh dhe akoma vazhdojnë…

A nuk e sheh se sa shumë muslimanë e kanë harruar Islamin e tyre, për t’u lidhur me bestytni, sa andej-këndej?!

A nuk e sheh se sa shumë prej tyre e kanë harruar të shkuarën e tyre, aq sa nuk kujtojnë prej saj, veçse shumë pak, në kufijtë e interesave të tyre?!

A nuk e sheh se sa shumë prej tyre e kanë harruar vetveten, duke u shkrirë në organizatat e femohimit, në organizmat e blasfemisë dhe në rrobat e devijimit, duke marrë prej tyre çdo gjë, deri Ditën e Fëmijës, Ditën e Nënës a Vitin e Gruas?!

Por, muslimanët do të kthehen tek Islami i tyre, tek shembulli i së shkuarës dhe do të realizojnë me Islam, vetveten e tyre!

Do të kthehet edhe gruaja muslimane tek Islami i saj, për të edukuar brezin e Islamit, me të cilin, All-llahu hap zemra të mbyllura, sy të verbuar, veshë të shurdhuar, me mbarësinë e All-llahut të Madhëruar!

Dhe, nuk ka dyshim se, çelësi i civilizimit është edukimi i individit të shëndoshë dhe vendosja e tij në çerdhen e shëndoshë, për të punuar të gjithë veprën e shëndoshë, për mbarë njerëzimin, sepse krejt njerëzit janë të Ademit dhe Havasë!

Thotë All-llahu i Madhëruar: “Ai (All-llahu) është që e dërgoi të dërgarin e Tij me udhëzim të drejtë e fé të vërtetë, e për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejnë idhujtarët.” – (Et-Teube: 33).

Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi,
Damask, më 14 Xhumadal-Ula 1395 h.

(Nga parathënia e botimit të parë të librit:
“Gruaja muslimane”, botimi i tetë, Damask, 1999).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 21 shkurt 2017