Elhamdulilah që jam musliman!

Hidh sytë përreth, shih katrahurën e shkaktuar nga afetarizmi dhe zhveshja nga morali, thuaj: “Elhamdulilah që jam musliman!” dhe, puno fort që kjo Dritë të përhapet gjithandej, sa të jesh gjallë!

Dhe, kujto përherë: Nuk të dëmton kundërshtari, as të pengon lajkatari, kur nijeti yt është bindja ndaj Zotit dhe mëshira ndaj krijesave të Tij!

I pari, e ka nga padituria; po munde udhëzoje drejt realitetit të fesë dhe madhështisë së besimit. Po nuk munde, vazhdo rrugëtimin tënd dhe mos u thyej!

I dyti, e ka nga hipokrizia; sa më larg tij, me lutjen që Zoti ta udhëzojë e ta pastrojë! (Të dytët do t’i gjesh edhe në xhaminë ku t’i falesh, edhe në sofrat e bamirësisë e dijes, ku t’i ulesh, edhe në supermarket ku t’i shkok të blesh, edhe në fb, kur ulesh të shfletosh, edhe para ekranit, kur mendon të kalosh pak kohë, edhe në fushata plot premtime e propaganda veshur me emblema kombëtare e ndjenja atdhetarizmi, gjithandej; hiç mos u tundo prej tyre, mos e humb nijetin tënd për të dukshmen e gjendjes së tyre!)

Merr frymë thellë dhe thuaj: “All-llah!”, pastaj hap sytë dhe ec pa ndrojtje; rruga është e gjatë, pengesat janë të shumta, ti je i pathyeshëm në rrugëtimin tënd, sepse All-llahu është me ty, ti je me All-llahun!

Dhe, asnjëherë mos harro atë fjali të madhe, me të cilën i Dashtuni i Zotit qetësoi zemrën e mikut të tij besnik, në një ditë vendimtare për jetln dhe Thirrjen e tyre: “Mos u dëshpëro, All-llahu është me ne!”…

Dhe, sa më larg debateve shterpë, fjalëve të shumta dhe bisedave pa dobi; sa më larg! Heshtja përballë të padobishmes është rehati!

Diversiteti është shenjë që të forcon dhe të jep kurajo në rrugëtimet e tua; duke respektuar e toleruar, aty ku respekti dhe toleranca ndërtojnë vlera dhe humanizëm!

Në fund të fundit: Udhëzimi është në dorën e Udhëzuesit, morali dhe sjellja jote, dija dhe dashamirësi, vullneti për të ndërtuar, bujaria dhe shpirtmadhësia, këto të jenë tiparet e tua përkthyese të pretendimit se je musliman!

(Reflektim leximesh në një ditë të re plot dritë e shpresë)

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 1 gusht 2017