Pyesni, pyesni pa fund, por kujdes..!

Në vitin 2014, vëllau dhe miku im, Imam Didmar Faja nxori në qarkullim librin e tij më të ri, titulluar: “Shpjegimi i dyzet e dy thënieve profetike”, duke na bërë një shërbim të vyer në pasurimin e bibliotekave tona me një vepër të munguar në gjuhën shqipe.

Po e shfletoja dhe u ndala tek hadithi i 9-të. Resulull-llahu (a.s) thotë: “Qëndroni larg atyre (gjërave) që ju kam ndaluar, e për ato (gjëra) për të cilat ju kam urdhëruar, zbatojini sa të keni mundësi. Vërtetë, ajo që i shkatërroi ata (popujt) para jush, ishin pyetjet e shumta dhe kundërshtimi ndaj profetëve të tyre.” – (Bukhariu dhe Muslimi)

Qëllimi i këtyre rreshtave, për të cilët u ula të shkruaj, është pikërisht pjesa e fundit e hadithit në fjalë; pyetjet fodulle, ato pa kuptim, pa një qëllim ndërtues, pa dritë udhëzimi, pa…

Në realitetet e sotme shqiptare, sidomos tani, kur propaganda islamofobe është shtuar në masë, lexojmë e dëgjojmë pyetje nga më qesharaket, njëkohësisht edhe provokative, sidomos për masat e gjera. Ato kanë një qëllim dashakeq; frikësimin e masave, keqinformimin, nxitjen e panikut, shfaqjen e fytyrës së vërtetë të autorëve ndjekës të trendit të zhvillimeve nihiliste të kësaj kohe pa adresë…

Në këto kontekste, dëgjojmë e lexojmë se: “Të gjithë terroristët janë muslimanë”, “Islami është përhapur me shpatë”, “Toleranca nuk është një ide fetare”, “Shpërthimet e Ankarasë nuk janë si ato të Brukselit”, “Muslimanët janë të prapambetur se nuk pijnë verë”, “Mishi i derrit është ndaluar në Arabi, për shkak të vapës”, “Osmanët janë pushtues të egjër, përdhunues të grave”, “Islami është feja e pushtuesit, kthehuni nga feja e vjetër”, e shumë e shumë broçkulla të ngjashme nga misionarë të shumtë të instaluar në politikë, media, kulturë, arsim, por jo vetëm.

Nga ana tjetër, shumëkush në realitetet e përditshme, duke filozofuar e duke dashur të fluturojë me argumentet e fesë, pyet pa fund, si për të dashur të zbulojë ndonjë sekret të fshehtë të fesë, a të arrijë ndonjë “lehtësim” të pazbuluar deri më tash, a të parandalojë ndonjë “vështirësi” që na thyen kurrizin, nga obligimet fetare. Është situatë qesharake. Janë situata paradoksale!

Unë përherë ju them: Pyesni sa të doni, mos lini pyetje pa bërë, por mos harroni, Islami është i plotë, ai nxit kërkimin e dijes, pyetjen e njerëzve të dijes, Islami është pa mangësi, pa kontradikta, pa paradokse, pa përplasje argumentesh, pa dobësi!

Pyesni, por kujdes, mos të kthehen disa pyetje pa kuptim e dobi, në shkak për devijim dhe rrëshqitje, si në popujt dhe shoqëritë, që sot e kanë kthyer fenë në një klishe dhe lëvozhgë folklorike, (pa shpirt e logjikë), asgjë më shumë!

Imam Muhamed B. Sytari 
Shkodër, më 26 mars 2016

(Me përmirësime, 26 mars 2018)