E mrekullueshme kjo lidhje..!

E mrekullueshme është lidhja e natyrshme që ka njeriu me vendlindjen e tij. Është dashni e heshtur e lindur që ditën, kur vijmë në këtë botë. Është toka, zanafilla e krijimit tonë! Është brumi i përzgjedhur, që na lidh fort pas saj, aq sa Resulull-llahu (a.s.) e krahasonte me Nanën: “Ruajeni Tokën, sepse ajo është Nana e juaj…”.

Kudo që të shkosh, sado të kënaqesh e të mbushesh me frymë e miradi, në momentin e parë që shkel në tokën tënde, mbushesh me frymë dhe vetvetiu ndjehesh mirë; sapo ke shkelur në vendlindjen tënde! Krejt njerëzit të duken të afërm, familjarë, farefis, komshi, të dashur, të shtrenjtë..!

Sa e mungesë e madhe ishte Shkodra, kur ishim studentë! (Kështu thonin edhe studentët e kombësive të tjera. Asnjëri nuk fshihej, kur ishte fjala për vendlindjen dhe simbolet e veta kombëtare.)

Ishte dhe mbeti e tillë përgjatë ditëve dhe netëve të gjata, pa frymë Shkodre, ndonëse fryma me të cilën ishim rrethuar, ngjante si eliksir epokash drite e jete, që ruan tabanin e të shenjtës në kufijtë e jetës së përkohëshme mbi tokë..!

Sa mungesë e çuditshme për njeriun, sidomos, kur e mendon nga jashtë, kur je larg, kur të thërret malli i saj e të mungon era e jetës në prehrin e saj… Çdo detaj nga kujtesa e afërt a e largët, që të lidh me emrin a frymën e saj, ngjet me një shkëndijë të papërfillshme në pamje të parë, por që mjafton për të ndezur një zjarr të madh, sa krejt zjarret e botës; mall e dashni, që nuk përshkruhen me fjalë…

Të merr malli për njerëzit e zemrës, për Nanë e Babë, për vlla e motër, për të afërm e miqësi. Të merr malli për sokakun e fëmijërisë, për personazhet e bëmat e tyre. Të merr malli për aromën e luleve, për ajrin e mëngjeseve e perëndimin e diellit, që gjurmë lë mbi sipërfaqen e rrjedhave të ujit. Të merr malli.., për kë e për çfarë s’të merr malli…

I ngjan një ëndrre, që sa herë na shfaqet, na përfshin e na mbush me një prekje transparente, që s’e përshkruajmë dot, thjeshtë e ndjejmë, teksa mbushemi me frymë, të kënaqur e të lumtur me të, në të!

I ngjan një kujtimi të pafajshëm fëmijërie, që struket me fanatizëm thellë në qenien tonë; nuk shfaqet, veçse kur nervi i mallit shtypet aq fort, sa dhimbjen s’e largon më asnjë melhem, veç tij…

I ngjan ajrit të pastër të prag agimit të një dite të re; ajër dashnie e lutjesh, dhikresh e përgjërimesh.., ajër plot nur malli e psherëtima durimtarësh të përulur në mihrabin e kaderit; të bindur e të kënaqur, të sprovuar e të lumtur..!

E mrekullueshme është kjo lidhje..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 4/7/2019