“O njerëz, një burrë i verbër ka ndezur regjistruesin bri meje…”

Kam qenë student në Damask, kur për herë të parë kam dëgjuar për Hoxhën e shquar damasken Shejkh Muhammed Edib El-Kel-las (1921-2009), i njohur ndryshe edhe si “Hoxha i Teuhidit në Sham”, ose “Hz. Omeri i kohës”, (siç shkruan i biri, Ahmed El-Kel-las, se e krahasonte Hoxha i tij, Shejkh Ebul-Jusr Abdin, ish-Kryemyfti i Sirisë).

Tregohet se një ditë, teksa Hoxha po bëhej gati të ngjitej në minber për të mbajtur hytben e xhumasë, iu afrua një burrë i verbër… Ngjarjen e tregon vetë Hoxha rahmetli…

– Burri në fjalë, më mori leje për të regjistruar hytben time, e lejova. U ngjita në minber dhe u ngjit pas meje. U ul afër meje për të inçuzuar hytben.

Gjatë gjithë kohës isha i vëmendshëm që të mos gaboj e mos të më merret goja. M’u kujtua mbikqyrja e Zotit tim… Thashë: “O njerëz, një burrë i verbër ka ndezur regjistruesin bri meje, më ka bërë të sikletosem në vetvete, se mos gaboj në të shprehur, a nuk duhet të frigohemi nga All-llahu i Cili na Mbikqyr, sa herë veprojmë fshehtas a haptas?”

Dhe nisi të qante dhe njerëzit qanë…

All-llahu e mëshiroftë Hoxhën e urtë dhe na udhëzoftë drejt mbikqyrjes së Zotit tonë në çdo vepër që kryejmë, në çdo fjalë që themi, në çdo mendim që i paraprin veprës sonë…

Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 13 korrik 2019

(Sërish lexohet me meditim dhe istigfar…)