Zemra e gjallë me dhikër reflekton fjalë e vepra me dobi!

Kur e lexojmë fjalën e të Dërguarit (a.s.): “Më i miri ndër muslimanë është ai, prej gjuhës dhe dorës së të cilit, janë të shpëtuar muslimanët”, është shumë e rëndësishme të kuptojmë se gjuha në vetëvete përkthen më së miri atë që njeriu ka në zemrën e tij.

Sa më e pastër që të jetë zemra dhe më e lidhur që ajo të jetë me Zotin e saj, aq më e pastër, e drejtë dhe e dobishme do të jetë ajo që del nga gjuha e atij person!

Një zemër që e mbikqyr All-llahun e Madhëruar gjatë ditës së saj, natyrshëm që do reflektojë dobi dhe jo dëm nga gjuha e të zotit.

Një zemër e lidhur në vazhdimësi me dhikrin e All-llahut, me leximin e Kur’anit, me salavate e lutje, kthehet natyrshëm në një prodhues të energjisë pozitive, që reflekton në fjalët dhe veprat e personit.

Sot, dëshmohet një krizë në marrëdhënien e muslimanit me dhikrin, si pasojë e përhapjes së bidateve, që e kanë larguar atë nga ky obligim i theksuar, por i nëpërkëmbur!?

Nga këtu, sa më tepër që njerëzit largohen nga dhikri, aq më të forta bëhen zemrat, aq më e ashpër bëhet gjuha, aq më e padobishme bëhet fjala!

Një gjuhë e ashpër, prej së cilës del gënjeshtra, që është kategorikisht e ndaluar në Islam; një gjuhë prej së cilës del gibeti, përfolja e të tjerëve, që është kategorikisht e ndaluar në Islam; një gjuhë prej së cilës del nemimeja, përhapja e së keqes dhe armiqësive në mesin e njerëzve, që është kategorikisht e ndaluar në Islam; një gjuhë prej së cilës dalin pa ndërprerje thashethemet; që janë në kundërshtim me cilësitë e besimtarëve; ajo është një gjuhë që reflekton një zemër të sëmurë, që ka nevojë për shërim dhe shërimi i saj është dhikri i All-llahut!

Sipas statistikave të përhapura kohëve të mbrame, rezulton se Islami është feja me pasues më të shumtë në botë. Pas tij vjen Budizmi e me radhë besime të tjera.

Nëse ndalemi për pak tek ky fakt dhe paralelisht lexojmë edhe hadithin: “Më i miri ndër muslimanë është ai, prej gjuhës dhe dorës së të cilit, janë të shpëtuar muslimanët”, i bie që njerëzimi të jetë në paqe dhe harmoni. Por, realitetet e sotme dëshmojnë ndryshe!?

Teksa e lexojmë këtë fjalë të madhe të Resulull-llahut tonë, vetëvetiu dalin në pah disa pyetje, që duhet të na nxisin të reflektojmë seriozisht rreth tyre. A e reflektojmë ne muslimanët sot, këtë hadith në marrëdhënie me njëri-tjetrin? Po në dije, pastërti, ndershmëri, korrektësi me kohën? A e reflektojmë këtë hadith në raport me punën dhe përgjegjësinë që kemi ndaj saj? A e reflektojmë në ndershmëri karshi tokës tonë, atdheut tonë, kombit tonë, njerëzimit mbarë?

Pra, kemi nevojë të kthehemi nga besimi ynë, tek Islami ynë, nga besa e All-llahut dhe thirrja e Tij!

(Nga dersi i sabahut, më 7/10/2019, në xhaminë e Parrucës)