“Ne, Kur’anin e bëmë të lehtë për mësim…”

Hadithi: “Më i miri i njerëzve është ai që më së miri e lexon Kur’anin…”, është një ftesë e hapur nga Resulull-llahu (a.s.), që të shohim në thelb të marrëdhënies që kemi me Kur’anin Famëlartë.

Zoti i gjithësisë e shpalli këtë Libër dhe e zbriti atë për të mirën e njerëzisë, për udhëzimin dhe lumturimin e tyre, që të jetojnë në paqe me veten e me Zotin, me shoqërinë e me tjetrin, kushdo qoftë ai.

Në suren e hënës, “El-Kamer”, në ajetin 17, urdhëron: “Ne, Kur’anin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndokush që merr mësim?”. Ky ajet në vetvete është argumenti më i qartë që vërteton se, njeriut i është lehtësuar rruga drejt Kur’anit; mësimit të shkronjave të tij, leximit të rrjedhshëm të tij, mësimit të rregullave të shqiptimit të tij, kuptimit të tij e, mbi të gjitha praktikimit të tij në jetë.

Sa e sa qendra të specializuara për mësimin përmendësh të Kur’anit, anëmbanë globit, nxjerrin çdo vit hafizë të panumërt? Sa e sa çmime ndërkombëtare për të promovuar angazhimin e rinisë me mësimin dhe leximin e Kur’anit? Sa e sa botime të Kur’anit në formate të larmishme, si e si për ta bërë atë të përshtatshëm për krejt njerëzit? Sa e sa përkthime të kuptimeve të përafërta të ajeteve të Kur’anit, deri në gjuhë, që as e dijmë se ekzistojnë, në vende që nuk e dijmë se ku bien? Sa e sa komplete audio të leximit të Kur’anit nga lexues nga më të afirmuarit në botë? Sa e sa pajisje të avancuara, që e mundësojnë dëgjimin e Kur’anit, përsëritjen e tij, a mësimin e tij, sipas arritjeve të reja të teknologjisë?

A nuk janë këto mundësi, argument për të gjithë ata që hezitojnë të ulen e të mësojnë leximin e Fjalës së All-llahut, por edhe një ftesë plot finesë drejt angazhimit për ta lexuar, mësuar e shijuar çdo harf prej shkronjave të Kur’anit Famëlartë, Librit të vetëm, që është ruajtur mrekullisht tash 15 shekuj, duke mos ndryshuar as edhe një pikë e vetme e qoftë edhe një shkronje të vetme prej tij!?

Prandaj, të dashurit e mi, ftesa e Pejgamberit (a.s.) për të fituar dëshminë e mirësisë nëpërmjet mësimit e leximit të drejtë të Kur’anit, është një ftesë e mrekullueshme që na zgjon nga hutimi e na merr për dore drejt shkallëve më të larta të afrimit me Zotin dhe dëshmimit tonë si mëkëmbës të Tij, nëpërmjet angazhimit dhe përkushtimit tonë ndaj Kur’anit Famëlartë.

(Nga dersi i sabahut, më 9/10/2019, në xhaminë e Parrucës )

Posted by Muhamed B. Sytari on Selasa, 8 Oktober 2019