Madhështia e Islamit (1)

Ajeti kur’anor: “Nuk ka dhunë në fé”, sipas komentit të Imam Razit, ka si kuptim të vetin edhe faktin se: “Zoti i Madhëruar nuk e ka ndërtuar çështjen e besimit mbi kërcënimin dhe dhunimin e tjetrit…”.

Në komentin e tij të këtij ajeti, Imam Razi thekson gjithashtu se: “Dhunë është, nëse muslimani i thotë jomuslimanit: Ose beso, ose të vrava! Ndërsa All-llahu thotë: Nuk ka dhunë në fé”.

Në këtë kontekst, Imam Kurtubiu sjell të transmetuar një bashkëbisedim të Hz. Omerit (r.a) me një plakë të krishterë, të cilës i ishte drejtuar me këto fjalë: “Pranoje Islamin o plakë, se do të shpëtosh! All-llahu e ka dërguar Muhammedin me të vërtetën!”. Plaka ia kishte kthyer: Unë jam plakë e moshuar dhe vdekja më është afruar! Omeri kishte thënë: ‘O Zot, dëshmo!’, dhe lexoi ajetin: Nuk ka dhunë në fé”.

Rreth këtij ajeti, shumë qartë flet edhe Imam Ibni Ashuri, i cili thekson se qëllimi i këtij ajeti është të rrënjoset urdhëresa hyjnore: “Mos kërcënoni njeri në pasimin e Islamit, me dhunë… (Ky ajet) është argument i qartë i revokimit (anullimit) të krejt formave të dhunimit në fé”.

Faktin e ruajtjes së shpirtrave dhe jetëve të jobesimtarëve e vërteton edhe fakti se: “I Dërguari (a.s), dëshiroi të rikthehej në Mekë, pa u prekur asnjë jetë dhe pa u derdhur asnjë pikë gjaku”, dhe kështu ndodhi.

Historia vërteton se Hz. Muhammedi (a.s) urdhëroi komandantët e tij, që kur të hynin në Mekë: “Të mos vrisnin njeri…”!

Imam Muhamed B. Sytari Shkodër, më 13 shtator 2020