Pelerina e kësaj nate ka mbuluar çdo gjë të thënë e të pathënë, sidomos në realitete të ngjashme me ato të romaneve të Balzakut, Hygosë, dë Mopasanit edhe Drajzerit e Hemingueit… Realitete që i përshkruan mrekullisht edhe Sadik Er-Rafii, Mustafa Mahmudi, Gazaliu i ri, Akkadi, Ikbali i famshëm, por jo vetëm…
Pelerina e kësaj nate ka mbuluar edhe kalanë e Shkodërloces, edhe pjesën e mbetur të minares së Teuhidit, në zemër të saj. Madje, atje, pelerina i ngjan një reje të zezë, prezenca e së cilës, gati-gati e fsheh minarenë, sikur e përpin në tentativën e saj për ta veshur me mantelin e saj…
Pelerina e kësaj nate lidh cepat e horizontit me yjësinë e shekujve, ku historia mbetet shenjë udhëzimi, ku personazhet janë aty; të lavdishmit përhapin lavdi me përmendjen e tyre, e kundërta me njerëzit e saj dhe përshkrimin e tyre…
Pelerina e kësaj nate mbi këtë qytet mbulon shumë e shumë të pathëna, sidomos ato që lidhen me një natyrë të re që dikush ka marrë për mision t’ia mveshë këtij qyteti dhe shpirtit të tij… Ky qytet e ka pasë zakon, që kur shtrëngohet dora, tjetra nuk të godet pas shpine! Apo gabohem?! Mos vallë, “Rozafa” është vetë simboli i pabesisë dhe goditjes pas shpine?! Apo..?!
Megjithatë, besa e besimi, pastërtia e dinjiteti, nuk janë lëkundur asnjëherë këtu, përballë “vëllezërve” që presin në besë “vëllanë”, pavarësisht genit të mbrapshtë e të pandreqshëm të dikujt a disave…
Pelerina e kësaj nate mbi këtë qytet, falë paqe e bekime që përhapen nga minarja pa ezan e Xhamisë së Sulltanit të Bekuar, në zemrat e krejt bijve të ezanit; i fton të mos e humbin besën, lart ta ngrejnë zërin e Teuhidit mbi minare shekullore, që asgjë s’ia shuan dot Dritën e Bekimeve.., as forma e pelerinës, kthyer në re të zezë nate dhjetori…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 28 dhjetor 2016