Ditën e sotme, nëpërmjet rrjeteve sociale, mësova për botimin më të ri nga Drejtoria e Kulturës në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, me titull: “Ligjërata Islame”, me autor dijetarin e shquar, Sheh Qazim Hoxha (1893-1959).
Sipas shënimeve të botuesit, libri i ri “vjen si përmbledhje e artikujve të zgjedhur nga ligjëratat e një prej penave më të shquara të dijetarëve myslimanë shqiptarë, botuar në vitet ‘20-‘30 të shek. XX në revistën prestigjioze të kohës “Zani i Naltë”.”
Faktikisht, kjo iniciativë e re e Drejtorisë së Kulturës në KMSh, për ribotimin a përmbledhjen e veprës së hoxhallarëve të shkuar të vendit tonë në formatin e botimeve bashkëkohore, vlen të përshëndetet. (Kujtoj këtu, se falë këtij angazhimi të lavdëruar, sot kemi të ribotuar veprat e hoxhallarëve të shquar të kohëve të shkuara, si: Hafiz Ali Kraja, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ismet Dibra, Haxhi Vehbi Dibra, Sheh Qazim Hoxha etj. Megjithëse ka edhe shumë për të bërë në këtë drejtim, për ribotimin dhe studimin e shumë e shumë gjurmëve të tjera të hoxhallarëve të shkuar të vendit tonë, kjo iniciativë duhet përshëndetur dhe mbështetur).
Teksa po lexoja lajmin e lartpërmendur, më erdhën ndër mend takimet e shumta me të birin, H. Faik Hoxha, me të cilin pata zhvilluar disa intervista të gjata në periudhën 17 qershor 2009 – 29 gusht 2009, në funksion të monografisë sime me titull: “Faik Hoxha para pasqyrës së një jete…”, botuar nga Shb “LOGOS-A”, Shkup, 2011.
Në shërbim të shënimeve të ditës së sotme, kam dëshirë të sjell në kujtesën tuaj, disa kujtime të H. Faik Hoxhës për babën e tij, Shehun e Madh të tixhanive të Shqipërisë…
“Kam lindur në Shkodër, më 14 prill 1930. Pas gjashtë javësh, kam shkuar në Durrës, ku babai shërbente si vaiz. Po atë vit, babai im me familje është shpërngulur në Tiranë.
Kujtoj se kur shkuam në Tiranë, kishim një familje shkodrane komshi, z. Riza Kaduku, nëpunës i vakfit në Tiranë.
Në periudhën e fëmijërisë, më afër kam qenë me nënën time, pasi babai në të shumtën e kohës ishte i zënë, si Sheh, si myderriz në medresenë e Tiranës etj.
Kur kam hyrë ne medrese, kam patur një lidhje të fortë me babain, saqë e kam dashur më shumë se nënën. Kujtoj, se kur vinte sezoni i verës dhe familja ime shkonte në Shkodër, unë rrija vetëm me babain tim.
E kam dashur si babë, por edhe si mësues, pasi prej tij kam mësuar rregullat e para të fesë. E kishte zakon të më mësonte gjatë verës lëndët e vitit që vinte. Kështu, kur fillonte viti i ri shkollor, unë i dija mësimet që herët. Kjo më ka ndihmuar të jem i pari i klasës. Kujtoj se gjuhën arabe e kemi mësuar me metodat e vjetra, me “Bina”, “Emthile”, “Maksud”, “Avamil”, “Idhhar”, “Kafi” etj.
Qenia e babës mësues në medresenë e Tiranës, më obligonte që të studioja më tepër. E kam patur qëllim të jem përherë i pari i klasës dhe notat i kam patur përherë të mira, si në fillore ashtu edhe në medrese. Në medrese, veçanërisht në lëndët fetare, kam qenë i padiskutueshëm!
…
Babai ka qenë besimtar i devotshëm. Dmth, detyrimet e përditshme fetare i ka kryer me përpikmëri! Është marrë përherë me derse, duke mësuar hoxhallarë të tjerë a persona të ndryshëm civilë.
Gjithmonë shtëpia jonë ka qenë si një klasë private, ku vinin njerëz të shumtë për të marrë mësim prej tij.
Kujtoj se gjatë asaj kohe, njerëzit që kanë mësuar më shumë pranë babait, kanë qenë zotërinjtë: Hasan Haveriku, Haki Sharofi dhe Mehmet Pilku.
Baba, ka qenë shumë serioz. Edhe nga njerëzit e afërt ka kërkuar të jenë të rregullt. Kujtoj një herë një person që erdhi në hallkën e tij, për të cilin kishte marrë informacion se pinte. E pyeti: Përse ke ardhur këtu? Çallma ime është e bardhë dhe ti i ke vendosur një njollë të zezë..!
Nga dervishët e tij kërkonte përherë rregull! Tarikati Tixhani, që ai drejtonte kishte shumë pasues, të cilët e donin dhe e respektonin me të madhe Shehun e tyre, babain tim. Në ditët e dhikrit, të dyja dhomat e caktuara për mësim e dhikër, mbusheshin plot me dervishë të tij!”
Dhe, kujtimet e të shkuarve për të diturin Sheh Qazim Hoxha, qëndrojnë plot dinjitet në sirtarët e arkivave, që presin t’u fshihet pluhuri, njësoj si gjurmëve të lëna prej tij në faqet e kësaj përmbledhjeje me vlerë…
Dhe, për këtë shërbim, janë të thirrur studiuesit profesionistë të fushave të teologjisë, prej të cilëve pritet të zënë vendet e tyre të merituara në lëvrimin e Dritës së Traditave dhe Diturisë së të parëve tanë të përkushtuar…
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 29 dhjetor 2016