
Disa herë jam përshëndetur me të në ambientet e xhamisë. Ai është një djalë i ri me fytyrë serioze, ku nuk është e vështirë të lexohet nuri i namazit në tiparet e saj.
Në shumë raste jemi përshëndetur me një dashamirësi dhe ngrohtësi, që ofron vetëm atmosfera e xhamisë, Shtëpia e Zotit, ku njerëzit hyjnë me përulësi dhe dalin të mbushur me qetësi, optimizëm, shpirt besimi dhe Paqe, që e shpërndajnë gjithandej, edhe me heshtjen e tyre…
Rastisi që ditën e djeshme të takoheshim në dy kohë të ndryshme namazi, në të njëjtën xhami. U përshëndetëm si përherë, me shumë dashamirësi e plot respekt.
Një fjali e tij më bëri shumë përshtypje. Në fakt, ajo u bë shkak që të shkruaj këto rreshta në shënimet e kësaj dite. Ai është një i ri i shkolluar. Ka edhe një zanat, të cilin e respekton dhe punon për të fituar hallallin e ditës së tij. (Realisht, këtë lloj njeriu, e respektoj dhe e dua, sepse më mirë se kushdo tjetër, ai reflekton vërtetësitë e Isamit, që nxit për punë e sakrificë në jetë. Për përkushtim ndaj zanateve dhe thellim në dituri, për lodhje e mundim për të fituar hallallin e ditës. Për të ndërtuar jetën, për të kontribuar pozitivisht në shoqëri…)
Teksa flisnim, në prag të hyrjes në xhami, ai tha një fjali, që ia vlerësova shumë. “Gjeta kohë të vij në xhami, ta fal këtë vakt, se në shtëpi falemi plot!” – tha, duke shprehur një lloj kënaqësie të papërshkrueshme, teksa hynte për të falur namazin…
U ndala pak dhe, më erdhi ndër mend hadithi i transmetuar nga Imam Bukhariu, ku Resulull-llahu (a.s) përmend, se: “Shtatë lloje njerëzish do të jenë nën hijen e Arshit të All-llahut, atë ditë, kur nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij…” Dhe, një nga këta shtatë lloje është: “Edhe një person, zemra e të cilit është e lidhur me xhami…”
Këtë përshpirtje më dhuroi bashkëbisedimi me të riun e përkushtuar, për ta prezantuar faljen e namazit me xhemat në xhami…
Falë All-llahut, në xhamitë e shumta të Shkodrës, ka plot të rinj, që në qetësinë e tyre vijnë në xhami për ta prezantuar faljen e namazeve… Për të marrë e për të dhënë e, mbi të gjitha për të dëshmuar me heshtjen e hapave që hedhin drejt xhamisë, se Shkodra është qyteti, ku një pjesë e mirë e rinisë së saj elitare, pret me përkushtim prezantimin e namazeve me xhemat, në pushimet e vogla të punëve, ku janë angazhuar në përditshmërinë e tyre… Dhe mblidhen së bashku në një saf; dentisti, juristi, menaxheri, ekonomisti, përthyesi, noteri, gazetari, inxhinieri, arkitekti.., por jo vetëm!
Sepse, kjo është jeta e muslimanit; punë, adhurim, sakrificë, përkushtim, lutje, kërkim i më të mirës për këtë botë dhe të përtejmen…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 18 maj 2016