Madhështia e një dëshmie profetike…

Fjala që sahabiu i nderuar, Temim Ed-Dari (r.a) ka dëgjuar nga Resulull-llahu (a.s), i cili thoshte: “Do të mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata dhe dita…”, më kumbon më ëmbël se asnjëherë tjetër, sa herë largohem prej Shqipërisë sime të shtrenjtë, në ndonjë nga udhëtimet e Thirrjes Islame, sidomos në Amerikë a Evropë…

Pasditën e sotme, (teksa drekonim në një restorant afër Këlnit), dy miqtë e mi, (në shoqërinë e të cilëve po shijoja bashkëbisedimin, më shumë se shijet e mrekullueshme të kuzhinës turke), po më tregonin rreth përqafimit të Islamit në Gjermani e Belgjikë…

Janë raste pa fund, njëri më emocionues se tjetri. Të gjithë kanë një emërues të përbashkët, atë që Kur’ani e thotë me të madhe: “Është e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por All-llahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit.” – (Kur’ani, El-Kasas: 56)…

– Një emigrant kinez në një qytet të Gjermanisë ka pranuar Islamin, edhe pse familja e tij janë në një fé tjetër. Ai edhe sot e kësaj dite, vjen e falet në lokalin e një shqiptari musliman, të cilit ia përsërit shpesh këto fjalë: “Sa herë vij këtu, gjej prehje dhe falem lirshëm, sepse në shtëpi nuk ma pranojnë Islamin!”…

– Një zotëri belg autokton nga qyteti Gent, ishte bërë musliman duke vëzhguar komshitë e tij muslimanë, turqë. Çdo ditë gruaja turke dilte ta përcillte burrin e saj për në punë, e përqafonte dhe e uronte me ngrohtësi…

Një ditë, belgu vendosi ta pyesë komshiun e tij dhe, pasi konsumuan së bashku një kafe, turku i tha se sjellja e tij me të shoqen buron nga Islami. “A ma shpjegon edhe mua Islamin?” – e kishte pyetur belgu. “Unë nuk jam kompetent për këtë gjë, por do të të prezantoj me Hoxhën” – i kishte thënë turku dhe ashtu kishte bërë…

Sot, burri belg mbante një mjekër nazike dhe dëshmohej haptas si musliman i ri…

Dhe shembujt realë, që dëgjoja nga miqtë e mi, shoqëruar me atmosferën e ngrohtë të këtij akshami në xhaminë shqiptare “Ebu Hanife”, ku ne shqiptarët flisnim e kuvendonim me emrin e All-llahut dhe emocionet e dëshirës së Resulull-llahut (a.s) për të takuar vëllezërit e tij.., ma mbushën zemrën me madhështinë e dëshmisë profetike që kishte dëgjuar Temim Dariu (r.a)…

Sonte, flamuri shqiptar valëvitej paqshëm në nënqiellin gjerman, ndriçuar nga feksimi i Hanës së dritshme, që zbukuronte fytyrat e të rinjve muslimanë shqiptarë, teksa dilnin nga xhamia e tyre në kurbet… Ata këmbenin selamet e tyre duke u përshëndetur si burra moti, teksa shqipja e ëmbël, me dialektet e krahinave të origjinës, bashkohej me Dritën e natës… E, ajo, shembëllente njësoj si “nata”, në dëshminë e Resulull-llahut (a.s): “Do të mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata dhe dita!”…

Imam Muhamed B. Sytari
Troisdorf, 19 maj 2016