Zoti është dëshmitar për madhështinë e veprës së tyre..!

Nga minberi i xhamisë shqiptare “Ebu Hanife” të Troisdorfit, hytbeja e sotme e xhumasë kishte një emocion të veçantë, që lidhte së bashku ndjenjat fetare, ato kombëtare dhe ato humane, që së bashku qëndronin të dorëzuara para përmendjes së Fjalëve të All-llahut në gjuhën tonë të ëmbël shqipe…

Nga minberi i xhamisë, teksa vështroja në sytë e atyre qindra besimtarëve të pranishëm; burrat e moshuar, që u këndon nuri i imanit në fytyrë, djemtë e ri, të interesuar e të vëmendshëm për çdo fjalë besimi, bindesha edhe më shumë se ata së bashku, krijonin një tabllo të përkryer besimi dhe krenarie për ngjyresën shpirtërore të identitetit që bartin me vete…

Ata janë kurbetçarë të përmalluar. Nuk e kanë mohuar asnjëherë identitetin e tyre kombëtar. Nuk kanë hequr dorë nga pasaporta e vendit, ku kanë tokën e tyre shqiptare, me aromën e saj tipike, flladet e kujtimet e viteve që shkuan… Ata se harrojnë tokën e të parëve, e duan, e kujtojnë me nostalgji, që u lexohet në sy, e përmendin me mall, edhe pse jetojnë një këtë vend, që i mirëpriti dhe i dha duart e përkrahjes… Nuk e kanë harruar këtë detaj, e përmendin me mirënjohje!

Pata një emocion të veçantë sot, teksa lutesha që Krijuesi i gjithësisë ta bekonte jetën e tyre, mundin e sakrificën, vullnetin për ta jetuar Islamin me detajet e mirësive të tij, këtu në këtë tokë të Zotit, lirshëm, bukur, të organizuar e kërkues për më të mirën…

Një detaj, mbi çdo detaj tjetër, më gëzoi pa masë, s’e fsheh dot! Këtu në Troisdorf, atje në Leverkusen, më tutje në Düsseldorf, (por jo vetëm), imamët janë dëshmitarë të një fenomeni mrekullisht real në mesin e muslimanëve shqiptarë..!

Në Leverkusen, në Xhaminë “Mesxhidi Aksa”, imami i saj, z. Amir Xheladini, po më tregonte (sot, pas namazit të iqindisë), për ecurinë e xhamisë, që nisi me një grup të vogël, rreth 17 vetë dhe mbërriti në nivelet e 700 antarëve të rregullt, (kryefamiljarët, pa pjesën tjetër të familjes). Xhamia e bukur trekatëshe, me kupolë dhe minare, (e vetmja xhami shqiptare me minare në Gjermani), e njohur edhe si: “Xhamia e Mulla Jakup Asipit), bënte shenjë dhe përhapte siguri e paqe, në atë vendtakim të rrugëve të qytetit…

Edhe në Düsseldorf, imami i xhamisë, njëkohësisht Kryetari i sapozgjedhur i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Gjermanisë, z. Mensur Halili, po më tregonte se faltorja e tyre, pjesë e Qendrës Kulturore Islame Shqiptare, nuk mjafton më për besimtarët e shumtë që e frekuentojnë, sidomos të xhumave. Edhe ata e mendonin zgjerimin e objektit trekatësh, ku zhvillonin aktivitetin e tyre, në dobi të zgjerimit të faltores…

Ndërkohë në Troisdorf, imami i xhamisë, z. Resmi Likaj, (ish-imam i xhamisë së Medresesë së Shkodrës), para se të niste ceremonia e xhumasë së sotme, iu drejtua xhematit, duke i nxitur për të kontribuar për fillimin e themeleve për xhaminë e re të shqiptarëve të kësaj zone… Ishte java e tretë që zhvillohej kjo fushatë bamirëse, ku askush nuk mbet pa dhënë për xhaminë e tij të re…

Tash që po i shkruaj këto fjalë, realisht kam ngelur pa fjalë për mrekullinë e besimit me shqiptarët, që ndërtojnë me dinjitet e krenari legjitime, historinë e Thirrjes Islame në kohët moderne, në zemër të Europës!

Në fakt, ata në vetvete janë argument praktik, në ecurinë e të cilit lexohet bindshëm ajeti 53 i sures Fussilet: “Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?”…

Nuk ka dyshim se, Zoti është dëshmitar për madhështinë e veprës së tyre..!

Imam Muhamed B. Sytari
Troisdorf, 20 maj 2016