Sonte, Damasku kishte mall..!

Diku nga fundi i marsit 2009, së bashku me thirrësin islam Lavdrim Hamja, qëndruam për një vizitë të shkurtër në Damask. Gjatë ditëve të qëndrimit tonë, mbajta shënime në një ditar të mrekullueshëm udhëtimi, që sot mban vendin e tij të merituar në arkivin tim personal. Nuk është botuar ende.

Sonte, iu riktheva leximeve në atë ditar, prej ku, pata dëshirë të ndaj me ju, rreshtat në vijim. Shpresoj t’i shijoni…

“Sekreti i vargjeve me llampa elektrike në Sûk Xhumua…

Pasi falëm namazin e akshamit, bashkë me bashkudhëtarin tim, thirrësin islam Lavdrim Hamja, dolëm drejt Sûk Xhumua, një treg shumë popullor i një zone të populluar nga banorë të shtresës së mesme në një prej lagjeve të vjetra damaskene, bri Kasijunit të famshëm.

Tregu, si në të shumtën e rasteve, gëlonte nga zhurmat e kalimtarëve të shumtë. Kudo njerëz. Nga të dyja anët e rrugës, që ngjan me një korridor të gjatë e të pafund, shtruar me një lloj kalldrëmi tipik i këtyre tregjeve, (ku përherë dëgjon salavate në gojët e shitësve dhe të blerësve, salavat që krijon përherë një atmosferë begatie të ndjerë gjithandej…), dyqanet nëpërmjet dyerve të hapura, sikur të thonë: “Ehlen ve sehlen” duke të ftuar me përzemërsi në zemër të tyre…

Në mesin e shumë dyqaneve, më bëri përshtypje njëri. U futa për të pyetur për një plaçkë, por… nuk kishte njeri. Dola. Komshiu i tij, pasi kishte vënë re habinë time dhe mimikën me të cilën i drejtohesha mikut tim, pa më pyetur fare (sikur ta dinte psenë e habisë time) m’u drejtua: “Ka shkuar për të falë namazin në xhami. Nuk vonohet, zotëri!” Unë e vështrova, buzëqesha, (a thua se nuk e kisha mësuar prej vitesh këtë tipar fisnik të vendalive…), e falënderova dhe u largova meditueshëm…

*** *** ***

Sonte, “Tregu Xhuma”, (ndryshe në shqip), është i ndriçuar gjithandej nga llampat e panumërta elektrike, të lidhura në vargje nga njëri cep i rrugës në tjetrin. Ato, sëbashku me vargjet e flamujve zbukurues (me ngjyrë jeshile, të kuqe, blu dhe të verdhë), i japin kësaj hapësire një pamje vërtetë të këndshme, shumë të ngohtë!

Edhe minareja vjetër, e gurtë, e xhamisë së Sejjidi Muhjidin Arabisë, poashtu vezullon nga vargjet plot llampa që e zbukurojnë, si yjet natën, që prehet dashurisht në qetësinë e dritës së tyre…

E ka një sirr kjo pamje… Jo çdo natë e ka fatin e mirë ta gjejë të zbukuruar në këtë formë tregun e vjetër të lagjeve bri Kasijunit tësalihinëve..!

E, teksa përpiqesh të zbulosh sekretin e kësaj paraqitjeje sa festive, aq mistike, kudo, si një jehonë ruhanite, dëgjohet një thirrje e lashtë: “Është stina e Resulull-llahut (a.s)… Është muaji i Pranverës së Parë… Është drita, me të cilën u ndriçua njerëzimi..!”

E, padyshim që simbolikë e Resulull-llahut (a.s) është edhe DRITA, sikurse misioni i tij, DRITËSIMI! Ai vetë (paqja dhe mirësitë e Zotit qofshin mbi të), një vezullim mirësie hyjnore mbi njerëzinë, përkthyer ndryshe: “Mëshirë e dhuruar!”…

E, teksa hedh sytë përreth, kudo drita e dritës së Zotërisë së bijve të Ademit dritëson… Kudo ERA e Resulull-llahut (a.s) përhapet si një misk i ndjerë në atmosferën e kësaj nate..! Kudo era DRITË! Kudo, në Sûk Xhumua.., e përtej tij!

E enjtja (19. 03. 2009), pjesën më të madhe të së cilës e kaluam në udhëtim, kaloi duke lënë pas vete kujtime e nostalgji. Ashtu, e mbushur me begatinë e Shamit Sherifë, sikur nuk donte t’i linte vendin të xhumasë… Ishte e përmalluar edhe ajo. Sonte, Damasku kishte mall..! Dhe.., kishte të drejtë të ishte në atë gjendje..!”

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 24 shkurt 2017