“… miliona Mus’hafe; mbi rafte e vitrina..!?”

Nuk ka mirësi dhe kënaqësi më të prekshme për nefsin e njeriut, zemrën dhe shpirtin e tij, sesa leximi me meditim i Kur’anit Famëlartë. Ka një shije të papërshkrueshme dhe një përshpirtje të veçantë Fjala e All-llahut!

Lexuesit e rregullt të Kur’anit Famëlartë, duke medituar në ajetet e tij dhe lidhjen e tyre me kontekstet e shpalljes, por edhe rrezatimin e tyre mbi të sotmen dhe altenativat e zgjidhjes së shumë ngërçeve jetike, e dijnë mirë këtë që po them.

Dhe, u ndala për pak tek një shënim i palexuar më parë, nga fjalët dhe mesazhet e dijetarit dhe mufesirit të famshëm të Kur’anit, Shejkh Ahmed Keftaro. Ai ka një mesazh shumë me vlerë për marrëdhënien që duhet të ketë muslimani me Kur’anin dhe kuptimet e tij. Thotë: “Prej kushteve legjitime të prekjes së fletëve të Mus’hafit (Kur’anit Famëlartë) dhe fjalëve të tij, është edhe pastërtia e trupit nga papastërtitë. Por asnjë nga dijetarët nuk ka përmendur kushtet e prekjes së kuptimeve të Kur’anit dhe përshpirtshmërisë së tij…

Duhet të përgatitet shpirti dhe zemra me pastrimin e tyre nga gjynahet e dukshme dhe ato të fshehta, si dhe punimi i tokës së nefsit me dhikrin e All-llahut dhe lidhjen me madhërinë e Tij!

Nëse kjo realizohet për lexuesin e Kur’anit, fjalët e Kur’anit dhe ajetet e tij do të zbresin në vendin e tyre, duke zënë vend, duke lulëzuar e duke dhënë fryte diturinë dhe veprën e dobishme.

Kështu ishin sahabët e nderuar, All-llahu qoftë razi me ta; ata kishin një Mus’haf të vetëm, por u bënë vetë mijëra Mus’hafe të gjalla! Ndërsa në kohën tonë, kemi miliona Mus’hafe; mbi rafte e vitrina..!?”

Në këtë kontekst, ndoshta, duaja më e mirë që duhet t’ia drejtojmë Krijuesit të Madhëruar, saherë trokasim në dyert e Kur’anit Famëlartë, duke e marrë para duarve dhe duke u përqendruar në leximin e tij, do të ishte: “All-llahumme bëje Kur’anin pranverë të zemrave tona..!”

All-llahumme Amin!..

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 1 mars 2017