Xhamia e Parrucës, simbol islam i Shkodrës

Të dashur e të nderuar vëllezër besimtarë,

“Ezani i sabahut të ditës së xhuma, më 23 mars 2007, sinjalizoi fillimin e emocioneve të mëdha të një dite, që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e besimtarëve muslimanë dhe qytetarëve shkodranë… Emocionet e kësaj dite janë të lidhura me historinë, me të shkuarën, me të tashmen, me të ardhmen e besimtarëve, me Shkodrën dhe me brezat, që pasojnë njëri-tjetrin. Emocionet e kësaj dite janë të lidhura me gëzimin e madh të përurimit të xhamisë së re të Parrucës, në qendër të qytetit të Shkodrës.”

Pa asnjë dyshim, përurimi i xhamisë së Parrucës, (xhamia e dytë më e madhe në Shkodër, pas asaj të Fushë Çelës), 10 vite më parë, do të shënonte një ngjarje me shumë rëndësi për historinë e Shkodrës dhe lidhjes së saj me shpirtin e Thirrjes Islame dhe trashëgiminë e shekujve, që Shkodrës i dhanë ngjyresën e kulturës dhe etiketës identitare, që e ka shoqëruar përherë dhe vazhdon.

Në kujtesën qytetare të Shkodrës, është memorizuar, se: “Nga objektet kryesore të lagjes Parrucë ka qenë xhamia e saj… Nga fundi i vitit 1967 u rrenue në kuadrin e lëvizjës antifetare, (lëvizje histerike e një zullumi të pashembullt shtetëror, për të cilin asnjë qeveri e këtyre 27 viteve të fundit, nuk ka kërkuar falje publike përpara muslimanëve të mbarë Shqipërisë, për këtë dhe krejt krimet e komunizmit në dëm të Islamit, muslimanëve, krejt feve, besimtarëve dhe mbarë shqiptarëve!) – (shënim imi, M.S.)…

Para se të ndërtohej xhamia e re, ishte e vjetra, ma e vogël, me një minare guri të pamjeshtri… Ajo ndërtesë e vjetër nuk dihet se kur ishte e ndërtueme, mbasi nuk kishte asnjë datë ase mbishkrim. Nga të dhanat popullore kuptohet se ishte e ndërtueme në shekullin 18 me fondet e familjes Jukej…

Turqit kanë pasë shfaqë dëshirën për ta zmadhue në model të xhamive të përmenduna të Stambollit. Mjerisht të parët e shtëpisë së Jukejve e kundërshtuen, sepse në atë rast do të prisheshin disa oborre. Qeveria turke, tue mos dashtë të qesë trazime e të prishë qetësinë, hoqi dorë nga kjo nismë.
Për pozicionin që kishte, në zemër të qytetit, çdo ceremoni fetare, sikurse të kënduemit e Mevludit, të puthunit të Qymes së Pejgamberit etj, celebrohej në këtë xhami, shpesh herë edhe në prani të valiut dhe të autoriteteve të tjera civile e ushtarake.”

Sipas të dhënave historike, nga viti 1936 nisin përpjekjet e Myftinisë Shkodër për ndërtimin e një xhamie të re. “Titullari i Kryemyftinisë, Salih efendija, i mbështetun në një fond (600 napolona ar) mori inisiativën të ndërtonte një xhami të re. Kjo xhami u pat ndërtue në bazë të planit të inxhinierit Sadi Pashallarit. Ka qenë një ndër xhamitë më të bukura të Shqipnisë, e pajisun me dy minare të holla e të nalta afro 40 metra… Ishte llogaritë që kjo xhami të përfshinte ma tepër së dy mijë veta…

Xhamia ka qenë themelue me 16 maj 1937 me një dua të zavendës/kryemyftisë Hafiz Halil Puka dhe me një bisedë të H. Esat Myftisë… Xhamia ka qenë përfundue në vitin 1943-44… Pjesë artistike të mihrabit dhe të kubeve e pat marrë mbi vete, vullnetarisht, i mirënjohuni mësuesi veteran Shefqet Kraja, i cili punoi tre muaj me radhë…”

Ndërkohë, përurimi i xhamisë së re të Parrucës, 40 vite pas shkatërrimit të saj nga shteti shqiptar, në vitin e errët 1967, sinjalizoi nisjen e një ere të re për muslimanët e Shkodrës, për të cilën të gjithë jemi përgjegjës dhe duhet ta ruajmë si sytë e ballit, duke mos lejuar për asnjë arsye përsëritjen e historisë, edhe pse, herë pas here, bijtë në pushtet të atyre që e shkatërruan, përpiqen të nxjerrin kokën e së keqes që çuditërisht s’u zhgulet dot nga shpirti katran, akoma sot!

Nga 23 marsi i vitit 2007 e deri sot, kanë kaluar plot dhjetë vite, në të cilat xhamia e Parrucës, është dëshmuar si një qendër e mirëfilltë e aktiviteteve të larmishme të Myftinisë Shkodër dhe si një simbol islam i patjetërsueshëm i muslimanëve të Shkodrës dhe përtej saj.

Vit pas viti, xhamia e Parrucës është kthyer në një kible të natyrshme, sidomos për rininë muslimane shkodrane, që vit pas viti ka dëshmuar një rritje të mrekullueshme në frekuentimin e riteve fetare, ndjekjen e hytbeve të xhumasë, frekuentimin e aktiviteteve të larmishme, tribunave fetare, kurseve të ndryshme, takimeve sporadike plot dobi me imamët e nderuar të saj, sikurse është dëshmuar si një qendër bamirësie, saherë që Myftinia Shkodër ka drejtuar thirrjet e saj për besimtarët, sipas situatave dhe nevojave të kohës.

S’ka dyshim se, (ashtu si e ka shkruar në përshtypjet e tij edhe prefekti i Shkodrës, në kohën e përurimit, z. Maxhid Cungu): “Rikthimi i kësaj xhamie pas 40 vitesh, është një nga ngjarjet më të rëndësishme në qytetin dhe qarkun tonë…”

Ndërkohë, nuk duhet të harrojmë asnjëherë, faktin se: “Një simbol i muslimanizmit i vjen përsëri qytetit tonë pas 40 vjetësh, xhamia e Parrucës e dashtun për të gjithë ne. I shtohet edhe një institucion më shumë i rëndësishëm edukues me moralin islam, veçanërisht rinisë tonë…”, sikurse shkruan edhe rektori i Universitetit të Shkodrës, asokohe, prof. dr. Mahir Hoti.

E përfundoj me një pjesë nga hytbeja e mbajtur të xhumanë e parë të përurimit të kësaj xhamie të shtrenjtë për ne, nga Imam Ndriçim Sulejmani, asokohe Myfti i Zonës Shkodër, kur thotë: “Sot, në këtë ditë të bukur, në këtë orë të lutjes nga ky vend që rrezaton besim e shpresë, kujtojmë me respekt e nderim, dijetarët tanë të shkuar, hoxhallarët, myftilerët, vaizët e imamët e nderuar që i dhanë famën e merituar xhamisë së Parrucës.

Kujtojmë sot dhe lutemi për shpirtrat e myftilerëve të nderuar: Jusuf ef. Tabaku, Adem ef. Vehbiu, Hafiz Tahir Myftia, Xhemal Naipi, Molla Fasli Zylja, Salih ef. Myftia, Hafiz Sabri Bushati, Hafiz Abdullah Neziri, Hafiz Halil Tophana dhe Hafiz Xhemal Çanga.

Sikurse kujtojmë dhe nderojmë imamët, vaizët dhe shërbestarët e shumtë të xhamisë së Parrucës, ku përmendim: Hafiz Sheuqet Boriçin, Haxhi Muhamed Bekteshin, Sheh Qazim Hoxhën, Hafiz Esat Myftinë etj, gjurmët e të cilëve mbetën të gdhendura në zemrat e besimtarëve dhe kujtesën historike të këtij qyteti besimtar.”

Të nderuar imamë, të dashur të pranishëm,

Përfitoj nga rasti të rishfaq mirënjohjen e përsëritur të Myftinisë Shkodër për donatorin kryesor të kësaj xhamie, z. Seit Fishta, për imamët e nderuar Alban Kali, Naim Drijaj dhe Durim Kasemi, për muezinët e palodhur H. Daut Shabaj dhe H. Besnik Saraçi, për të kudogjendurin në shërbim të kësaj xhamie dhe kontributeve të vazhdueshme në dobi të saj, H. Besnik Elbasani.

Sikurse falënderoj nga zemra të gjithë imamët e nderuar të Shkodrës, që në momente të caktuara dhe sipas programeve të larmishme të organizuar nga institucioni i Myftinisë, dhanë kontributin e tyre të çmuar, duke rrezatuar dije dhe kulturë besimi nga minberi dhe kursija e kësaj xhamie. Njëkohësisht falënderoj të gjithë myftilerët e qyteteve të tjera, si dhe personalitetet e shquara të Thirrjes Islame në rang kombëtar, rajonal dhe botëror, që ligjëruan nga kjo xhami me ftesën tonë. All-llahu i shpërbleftë!

Mbarësi dhe suksese të vazhdueshme aktivitetit plot përgjegjësi të krejt të ngarkuarve me besim për të shërbyer në këtë xhami historike. All-llahu iu bëftë ndihmë dhe i qoftë Mbrojtës dhe Udhëzues në rrugëtimet e gjata të saj! Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 23 mars 2017