Muaji i madhnueshëm i Ramazanit, është padyshim një stinë e madhe mëshire dhe butësie, mirësie hyjnore dhe përkujdesjeje të veçantë për zemrën dhe shpirtin.
Ramazani është muaji i ndodhive të mëdha, realizimeve të mëdha, i arritjeve të mëdha, i pendimeve dhe i kthimeve të mëdha…
Ditën e sotme u bëra dëshmitar i një emocioni të madh, pas përfundimit të faljes së namazit të mesditës me xhemat, në një prej xhamive të Shkodrës.
Prezenca e madhe e xhematit, kryesisht të rinj, ishte shkëndija e parë e përshpirtjes që dhuron ky Muaj me madhështinë e tij. E ndjeva edhe më shumë kënaqësinë e madhe të kësaj prezence, kur im bir më pyeti: “Babë, a ka ndonjë aktivitet tani në xhami?” I habitur nga pyetja e tij, iu ktheva: “Jo, nuk ka aktivitet, është thjeshtë namazi i mesditës” Ma ktheu: “Po pse janë kaq shumë njerëz sot?” Buzëqesha dhe i thashë: “Është Ramazan, është Ramazan, elhamdulilah..!”
Por, thelbi i këtyre rreshtave qëndron diku tjetër…
Po përqafohesha me një mik të vjetër, një intelektual të shquar të qytetit tonë, kur papritur, sytë më zunë prezencën e një personi të njohur për mua, jofrekuentues i xhamisë…
Qëndronte në një cep të xhamisë, në një gjendje, si për të dashur të fillojë faljen e një namazi. Më pa, la vendin e tij dhe m’u afrua. U përshëndetëm me shtrëngim duarsh. Me një zë të paqtë, foli vetëm dy fjalë. “U kthyem një herë nga Zoti. Kishim kohë që rrinim larg…”
Nuk e di se sa fuqishëm kumbuan fjalët e tij në zemrën time, por di se mimika e fytyrës së tij përkthente më së miri pendimin dhe dëshirën e kthimit nga Zoti… Tashmë, ai kishte hyrë në Shtëpinë e Zotit, kishte trokitur i dorëzuar, i penduar dhe dera i ishte hapur… Tash, duke hedhur hapat e tij me kujdes, ai shkonte drejt takimit, ballë për ballë me kiblen, drejt rukusë dhe sexhdes, drejt lutjes e pendimit, drejt komunikimit pa ndërmjetës me Krijuesin e gjithësisë dhe Mëshiruesin e saj…
Fjalët e tij më sollën ndër mend fjalët e Resulull-llahut (a.s), kur thoshte, se: “Me të vërtetë All-llahu është më i gëzuar për pendimin e robit të tij, kur pendohet, sesa ndonjëri prej jush që po udhëton mbi kafshën e tij në një tokë të thatë… Kur, papritur, kafsha e tij me plaçkat, ushqimet dhe pijen e tij, zhduket dhe ai, i dëshpëruar shkon të pushojë nën hijen e një peme, ku e zë gjumi. Kur i hap sytë, vëren se kafsha e tij me plaçkat që bart, është aty para syve të tij dhe, nga gëzimi i madh bërtet: “O Zot, Ti je robi i dhe unë Zoti Yt!” Gaboi nga gëzimi i papritur” -[Bukhariu dhe Muslimi, nga Enesi (r.a)]
E vështrova me shumë respekt burrin e heshtur, që dukej se tashmë, kishte nisur një rrugëtim të ri të paqtë drejt kërkimit të kënaqësisë së Zotit të tij…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 6 qershor 2016