Shejkh Ali Tantavi tregon:
Dje, pashë një vajzë komshi, që mbante në dorë një tabaka, ku kishte vendosur një pjatë të madhe alumini, në të cilën kishte pak fasule, pak pilaf dhe pak patlixhan. Në tabaka kishte hedhur edhe ca kastravecë e ca kokrra pjeshkë…
Teksa po ecte, e ndala dhe e pyeta: Për kë është kjo tabaka, o bijë? Tha: Po ia çoj rojes, kështu më tha gjyshja ime!
I thashë: Kthehu mbrapsht! Merre tabakanë dhe vendos në të katër pjata të vogla, një lugë, një thikë dhe një gotë me ujë. Pastaj vendos secilin prej llojeve të ushqimit në një pjatë të pastër.., dhe ashtu veproi.
I thashë: Tani shko!
U nis e zemëruar, duke mërmëritur ca fjalë që s’kuptoheshin…
I thashë: Mjerë ti, moj bijë, a humbe gjë? Kjo lloj renditjeje është më e vlefshme se vetë ushqimi. Sepse ushqimi është sadeka me pasuri, ndërsa kjo, sadeka me emocion. E para mbush barkun, e dyta mbush zemrën. E para e poshtëron rojen dhe bën të ndjehet si lypsar, që i kanë dhënë ushqim të mbetur. E dyta e bën të ndjehet si shok i shtrenjtë a mik i nderuar!
E para, o lexues të nderuar, është sadekaja me pasuri. E dyta, eshtë sadekaja me shpirt! E dyta është më e vlefshme tek All-llahu, më e madhe tek i varfri! Sepse një frang (monedhë e vogël në vlerë) që ia jep lypsarit, duke i buzëqeshur, është më fisnike sesa një një gjysëm lire (monedhë më e madhe në vlerë) që ia jep me mendjemadhështi dhe nënçmim!
Edhe fjala e ëmbël me nevojtarin, është freskim për zemrën e tij, më shumë sesa t’i japësh një vlerë të hollash me vështrime të ashpra!
Prandaj, o ju bamirës, jepni nga zemra juaj, siç jepni nga pasuria juaj! Bëjini të varfërit të ndjejnë se jeni vëllezërit e tyre, njësoj si ata! Zbrisni në pozitën e tyre, që t’u jepni sadekanë dorë për dorë, mos ua hidhni nga lart!? Sepse, qesja e florinjve, po të vendoset në dorën e të varfërit, e pasuron atë e, nëse ia hedh kokës nga kati i gjashtë, e vret atë!
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 7 qershor 2016