Shenja mirësie, që përhapen paqësisht në realitetet e Ramazanit…

Është Ramazan, është paqe, është butësi e mëshirë. Përveç shejtanëve, që s’e duan paqen, mëshirën, bujarinë…

Jam i bindur, se gjithësecili prej nesh, po të vështrojë me vëmendje, do të gjejë shenja pa fund, nga mirësia dhe mëshira e All-llahut të Madhëruar, në rrjedhën e përditshme të Muajit Ramazan… Shenjat janë aty, kanë mbushur horizontet, çdo ditë sa vijnë e shtohen…

Ditën e sotme përjetova emocione të bukura, duke shijuar disa shenja prej shenjave të mirësisë së paprekur nga djalli dhe influencat e tij të padukshme…

– Pas përfundimit të hises së përditshme nga Mexhlisi i Hatmes Sherife në xhaminë e Parrucës, një nga bashkëpunëtorët e mi të afërt, më lajmëron se një besimtar musliman, një shqiptar burrë zamani, ka kontribuar për Myftininë Shkodër, një shumë që mjafton për të ndihmuar 200 familje në nevojë, për këtë Ramazan! (Natyrshëm, u gëzova pa masë dhe, me mbarësinë e All-llahut, amaneti i tij do të lëvrohet shumë shpejt.)

200 familje! A nuk do të ishte shembull për qeverinë, bashkinë, prefekturën etj, shembulli i këtij individi, tashmë që Ramazani ka mbërritur në dyert tina dhe bereqeti vjen nga të gjitha anët, llogaritur e pa llogaritur?!

– Pa mbaruar bisedën me mikun tim, na afrohet një zonjë besimtare, që s’e njihja. Me shumë edukatë më kërkon një Kur’an në origjinal, (në gjuhën arabe), sepse një mike e saj ka përfunduar abetaren e Kur’anit dhe ka dëshirë ta lexojë Fjalën e Zotit të gjithësisë në origjinën e saj…

(Ndërkohë, mbrëmë pas teravie, një vëlla yni solli një numër të madh Kur’an-esh në origjinalin e tyre. Buzëqesha, u ngrita dhe bashkë me zonjën në fjalë, Kur’anin e morën edhe tre persona të tjerë).

– Duke dalë nga xhamia, vërej se po më priste një person i panjohur për mua. Më dha selam. Ia ktheva. “Dua të shtroj një iftar nesër në shtëpinë time dhe dua të më nderosh..!”- tha, me shumë përulësi…

(Mësova se do shtronte iftar në bahçen e tij për 50-60 veta)…

U largova nga xhamia duke e falënderuar All-llahun Mëshirëplotë për këto shenja mirësie, që përhapen paqësisht në realitetet e Ramazanit. Në fakt, këto shenja janë tabani shpirtëror i këtij qyteti. Shpesh i perceptojmë, shpesh na ikin nga hutimi…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 8 qershor 2016