Pastruesi multimilioner…

Një mik imi damasken, që jeton në mes të librave, kishte postuar sonte një ndodhi reale nga atmosfera e Haremit Sherifë, në Qaben e Madhnueshme.

Ngjarjen e vërtetuar, kam dëshirë ta ndaj me ju, meqë jemi në Muajin e Ramazanit, ku njeriu nuk paragjykohet për bamirësinë e tij, sado e vogël që të jetë, por, edhe ku të gjithë janë të ftuar të ulen me këmbë në tokë, për të gjetur paqen e vërtetë në dyert e Zotit të vërtetë…

Ngjarja nis kështu:

Një saudit, prej banorëve të Mekës, u fal një ditë në Qabe. Pasi kreu namazin dhe dhikret, mendoi t’i jepte njërit prej pastruesve të shumtë të Haremit Sherifë një sadeka të vogël. Nga larg, sytë i zunë një burrë indian, rreth të pesëdhjetave, i veshur me kostumin e punës së pastruesit. Nxori nga xhepi ca rijalë të vogla, iu afrua dhe i zgjati dorën duke i thënë: “Urdhëro, vëlla”…

Pastruesi e vështroi dhe duke i buzëqeshur ia ktheu: “Nuk kam nevojë për sadeka”. Por, pasi pa habinë në mimikën e sauditit, iu afrua dhe duke i nxjerrë portofolin e tij i tha: “Shihe portofolin tim!”

Ç’të shihte sauditi i befasuar, portofoli ishte mbushur me karta krediti Visa dhe Master Card… “Nuk kam nevojë për sadeka, falemnderit!” – i tha sërish indiani.

I habitur, sauditi e pyeti: “Çfarë je ti? Çfarë punon?”

Indiani ia ktheu: “Elhamdulilah, unë kam në posedim një grup hotelesh, kudo në Indi. Herë pas here, marr një vizë punë me një kompani të specializuar në pastrimin e Haremit Sherifë. Kështu, gjashtë muaj ia kushtoj All-llahut, duke punuar vullnetarisht për pastrimin e Shtëpisë së Shenjtë, Qabes së Madhnueshme. I lutem All-llahut të ma pranojë këtë punë me sinqeritet, vetëm për hatrin e Tij!”

I çuditur, sauditit iu duk vetja si në ëndërr dhe nga kurioziteti, pyeti një pastrues tjetër: “A e njeh atë person?”, duke bërë me shenjë nga indiani.

Pastruesi i dytë ia ktheu: “Filani është multimilioner! Herë pas here, vjen për t’i shërbyer Shtëpisë së All-llahut, me nga gjashtë muaj…”

Ky është një mësim për këdo që e sheh veten mbi të tjerët… Për këdo që mburret me makinën e tij, vilën, postin a pasurinë që ka.., se “mburrja” vlen vetëm për adhurime e bamirësi.

Në Kur’an thotë: “për shpërblim të tillë, le të garojnë ata që lakmojnë të mirën.” – (El-Mutaffifune: 26).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip,
me ca shënime anësore:

Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 9 qershor 2016