Me dije e moral, larg alkoolit, drogës dhe humbjes së njeriut!

Me dije e moral, larg alkoolit, drogës dhe humbjes së njeriut!

Morali dhe besimi, qytetaria dhe njerzilleku bashkërisht, e lartësojnë individin në këtë botë, duke e bërë njeri elitar, që me vullnetin e të urtëve që kujdesen për mendjen dhe dritaret e saj, të prodhojë dinjitet e fisnikëri, që jetës i japin kuptimet e zhvillimit në paqe e siguri!

Kur njeriu e humb busullën e udhëzimit dhe bën pakt me shejtanin e mallkuar, dyert e së keqes hapen për të, duke ia prishur ekuilibrin e jetës, duke e bërë kavie eksperimentale dhe duke e zhveshur nga dinjiteti, vlerat morale dhe qytetërimi i vlerave.

Mjekësia bashkëkohore, njëjtë si ajo e shekujve të hershëm, na befason përherë e më shumë me studime të arrira, që na dëshmojnë për dëmin e alkoolit dhe shkatërrimet që ai i bën qenies njerëzore.

Promovimi përherë në rritje i konsumimit të alkoolit, që i paraprin çdo të keqeje në jetë, është një alarm i fortë për krejt shoqërinë njerëzore. Kështu ka qenë ndër shekuj.

Elitat e të urtëve gjithandej, kanë bërë thirrje të vazhdueshme dhe kanë tërhequr vëmendjen e rinisë në veçanti, për të qëndruar larg, asaj që në fjalorët e besimit dhe të fesë, njihet si: “nëna e krejt ligësive”!

Errol Flynn (aktor, vetë pijanec i rëndë) thotë:

“Alkooli është vrasës shumë më i madh se të gjitha opiatet… Shkatërron trurin, mëlçinë tënde. Shkatërron moralin, shkatërron vitalitetin… Është dobësi e qeverive kudo që lejojnë këtë helm të qarkullojë si lumë nëpër gjakun e racës njerëzore.”

Jack London (shkrimtar) thotë:

“Shumica dërrmuese e pijanecëve të rregullt nuk lindin me dëshirë për alkool, por me neveri ndaj tij… Ata e mësuan, sepse alkooli ishte kaq i aksesueshëm.”

Kirurgu Jonathan Shepherd e ka quajtur gotën e birrës “armën më të zakonshme të sulmit në Britani”, për të treguar lidhjen alkool-dhunë.

Në thelb, elitat e kanë parë alkoolin jo si kënaqësi, por si helm social që shkatërron individin, familjen dhe kombin.

Të gjithë ata që kanë sadopak xhelozi për ruajtjen e tabanit fetar e kombëtar, duhet të ngrihen e të bashkëpunojnë për ruajtjen e hapësirave tona publike dhe realiteteve tona qytetare të pastra nga alkooli, bimët narkotike dhe çdo lëndë dehëse, që dita-ditës shkaktojnë një gangrenë të pashërueshme në shoqëritë njerëzore.

Statistikat në këtë drejtim janë të frikshme!

* Sipas OBSH-së, konsumi në Shqipëri është 5.1 litra për frymë në popullatë, me 8.4 litra te meshkujt dhe 1.9 litra te femrat.

* Birra mban peshën kryesore me 39.6%, pastaj pijet e forta si rakia me 34.1% dhe vera me 24.5%.

* Afro 4.2% e vdekjeve në Shqipëri kanë shkaktar kryesor konsumin e lartë të alkoolit.

* ISHP raporton rritje te të rinjtë: 1 në 4 të rinj konsumojnë alkool, nga rreth 5% para 4 vitesh në 15% sot.

Mjekët toksikologë në Shqipëri raportojnë: rreth 4% e popullsisë janë të varur të sëmurë nga alkooli, ndërsa mbi 25% janë pijedashës, dhe rreth 300 raste në vit kërkojnë ndihmë mjekësore.

  1. Sipas INSTAT:

* Krimet në fushën e drogës arritën rekord në vitin 2025 me 3,649 krime, me rritje 27% ndaj vitit paraardhës, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

* Në 2017, 1,602 të burgosur (29% e popullsisë së burgjeve) ishin për krime në fushën e drogës, duke e bërë drogën shkakun kryesor të burgosjes.

Nga këtu, është detyrë e institucioneve fetare që të bashkëpunojnë me institucionet e ndryshme vendore për parandalimin e kësaj të keqeje të madhe që rrezikon të sotmen dhe të ardhmen e rinisë dhe fëmijëve, si dhe ndalimin sa më shumë të çdo lloj aktiviteti që zhvillohet për promovimin e alkoolit dhe drogërave të ndryshme, që janë shkatërrim për shëndetin, ekonominë, familjen, besimin dhe vetë qytetërimin e vlerave.

Ndër vite, Myftinia Shkodër e ka ngritur zërin me të madhe për rrezikun e këtij fenomeni, sikurse ka bërë thirrje të vazhdueshme në këtë drejtim, edhe nëpërmjet tribunave shkencore në bashkëpunim me Bashkinë, Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, Drejtorinë Rajonale të Policisë, Kishën Katolike, Kishën Ortodokse, por jo vetëm.

Hytbeja e xhumasë së ardhshme, më 11 shtator 2026, do të fokusohet tek rëndësia dhe vlera e dijes, moralit dhe tabanit tonë qytetar, si dhe tërheqja e vëmendjes drejt rrezikut që përbën konsumimi përherë në rritje i alkoolit dhe drogërave për brezin e ri.

Myftinia Shkodër bën thirrje që të gjithë të jemi përherë vigjilentë për të ruajtur tabanin e trashëgimisë së vlerave dhe ndjeshmëritë moralo-fetare, duke mos lejuar lëndimin e qytetarëve me iniciativa e aktivitete që bien ndesh me moralin e fesë dhe atë të shpirtit të qytetarisë së Shkodrës!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 9 shtator 2026