“Kontributi i autorëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore gjatë periudhës osmane”, nga Dr. Ferid Piku, një vepër që hap horizonte të reja në studimin e historisë së lavdishme osmane në trojet shqiptare

“Kontributi i autorëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore gjatë periudhës osmane”, nga Dr. Ferid Piku, një vepër që hap horizonte të reja në studimin e historisë së lavdishme osmane në trojet shqiptare

 

          Me kënaqësi të madhe mora veprën e re të autorit të afirmuar, ligjëruesit të dashur dhe studiuesit serioz, Dr. Ferid Piku, që tashmë sjell për lexuesin një pjesë të çmuar të studimeve të tij të vazhdueshme rreth kontributit të autorëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore gjatë periudhës osmane.

          Dhe, meqenëse e njoh mirë angazhimin dhe lodhjen e autorit për të na sjellë si soji i kësaj vepre me vlerë të madhe, nuk e teproj aspak, kur them me të madhe se është mirësi e Zotit, që në mesin tonë kemi studiues të këtij kalibri, që jetën ia kanë kushtuar angazhimit për të nxjerr në pah të vërteta të mëdha nga një histori e pasur, që paradoksalisht, fare pak njihet tek ne dhe, çuditërisht më shumë përhapen të pavërteta, trillime dhe legjenda rreth saj, sesa të vërteta të mëdha, që kur zbulohen para masës, sëbashku me argumentet përkatëse, del në pah padija e madhe rreth këtyre gjurmëve të dritshme dhe kontributeve të jashtëzakonshme të dijetarëve arnautë në periudhën e lavdishme të historisë sonë osmane!

          Në veprën e Dr. Ferid Pikut, lexuesi do të ketë mundësi të lexojë rreth institucioneve arsimore në Ballkan përgjatë periudhës osmane, për medresetë në veçanti dhe, që mbi të gjitha, kanë një perceptim më të pasur se tonat sot, e njëkohësisht, janë vatra ku formohen elitat e një hilafeti, që për shekuj e shekuj përhapi dritë e dije, qytetërim e tolerancë, drejtësi e rend, zhvillim dhe kulturë në çdo cep të hartës së tij të gjerë, nga lindja në perëndim.

          Libri që keni para duarve ofron me detaje të vlefshme, të dhëna rreth sistemit të arsimit në medresetë osmane, për hierarkinë e tyre, si dhe gradët e këtij shkollimi, sipas këtij sistemi të pasur.

          Autori ndalet më në veçanti tek studimi i tefsirit në medresetë osmane të Ballkanit, ku spikasin disa prej tyre, sikurse i qaset edhe rolit të xhamive dhe teqeve në promovimin e personaliteteve të ndryshme të dala nga këto medrese, si fjala bie: “Omer Fani Efendiu (vd. 1033/1624) nga Dibra shërbeu si predikues me titullin: Et-Tefsiri – Komentuesi në xhamitë e Sulltan Selim Hanit, Sulejmanijes dhe Aja Soias për më shumë se njëzet vjet dhe gjithashtu shkroi një hashije – glose rreth tefsirit të Kadi Bejdaviut.

          Po kështu Altiparmak Mehmed Efendiu nga Shkupi (vd. 1033/1624) dha mësim tefsiri dhe hadithi në ligjërimet e tij në xhaminë Fatih për më shumë se dymbëdhjetë vjet.”[1]

          Në këtë vepër, autori ka studiuar gjurmët dhe jetëshkrimin e 29 dijetarëve të shquar shqiptarë të periudhës osmane, që kanë dalë nga medresetë e këtij sistemi, duke u bërë udhërrëfyes besnikë të trashëgimisë së tefsirit, por jo vetëm, në çdo vend, ku ata shërbyen me përkushtim të madh, duke lënë gjurmë të paharruara dhe kujtimin e mirë të dijetarëve elitarë.

          Gjatë shfletimit të veprës, jamë ndalur edhe tek një kapitull mbi zhvillimin e medreseve osmane në vilajetin e Shkodrës, ku mësojmë për Medresenë “Ulama Pasha”, për Medresenë e Qafës, e njohur si: Medresei Bâlâ – e Epërme, e cila është themeluar nga Gazi Mehmet Pashë Bushatlliu (vd. 1188/1775), një ndër valinjtë e Shkodrës, sikurse mësojmë se myderrizi i parë i saj është myftiu i Shkodrës, Murteza (Safi) Efendi Shoshi (vd. 1188/1775); si dhe Medreseja e Re, e themeluar nga Kara Mahmud Pashë Bushatlliu (vd. 1210/1796).[2]

          “Me depërtimin e osmanlinjve në trojet shqiptare dhe me vendosjen e administrimit të tyre (shek. XIV-XV), u fituan tipare të reja në të gjitha aspektet e jetës. Në përgjithësi depërtimi dhe vendosja e administrimit Osman shënoi kthesë të madhe gjithandej në trojet shqiptare, sepse osmanlinjtë në trojet tona sollën, përveç tjerash, një rregullim të ri shoqëror, një kulturë të re, një qytetërim të ri dhe, mbi të gjitha, sollën edhe fenë islame, e cila ishte fe zyrtare e Perandorisë Osmane. Së këndejmi, shqiptarët, përgjatë kohëve, u integruan në mënyrë të theksuar dhe luajtën rol të rëndësishëm e me peshë në Perandorinë Osmane, por pa u asimiluar dhe pa e harruar etnogjenezën e tyre.”[3]

          Në këto kohëra të arta të zhvillimit të dijes, kulturës dhe qytetërimit islam, sidomos në zonën e Shkodrës, spikatën dijetarë të shumtë, ku mund të veçohen: Jusuf ‘Siddik’ ef. (Myftiu) Hafiz Hysen efendiu (1824- ), i biri i Abdullah Këlliçit, me prejardhje nga Ulqini, Abdullah ef. Myftiu Tabaku (1872- ), i biri i Myderrizit dhe Myftiut të famshëm të Shkodrës, Jusuf Efendi Tabaku; Abdurrahman ef. Begu (1847- ), Adem ef. Salih ef. Myftiu (18 mars 1851- ), Hafiz Halid ef. Beg Bushati (14 qershor 1855 – 27 dhjetor 1916), Hafiz Hasan (Tahsin) ef. Haxhi Osman Aga – Lohaj (28 shtator 1854- ), Jusuf ef. Kaduku (1884- ), i biri i Ismail Agë Shkodrës, fëmija i pestë i një familjeje me personalitete të shquara, si vëllezërit e tjerë të Hirësisë së Tij: Dr. Hasan Kaduku (1865-1948), stomatologu më famë, Haxhi Hafiz Ibrahim Kaduku (1869-1949), etj.[4]

          Dhe, u ndala tek një shkrim i Sali Vuçiternit, në revistën “Zani i Naltë”, ku teksa analizon aktivitetin e medreseve të vendit tonë në vitin 1927, ndër të tjera shënon edhe numrin e medreseve të Shqipërisë në ato kohë të vështira, ku përmenden medreseja e Shkodrës, e Vlorës, er, e Kavajës, e Durrësit, e Tiranës, e Krujës, e Shijakut, e Peqinit, e Elbasanit, e Korçës dhe e Beratit, si dhe një shënim, sa një mal me vlerësime: “Tue marrë para sysh se Shkodra qe vetun e zonja m’i sigurue Medrezës së Re personalin me mësuesa të ndershëm e të zotët, të cilët ka dy vjet qi veprojnë rregullisht në të dhanunin mësim gratis, kurse Medrezen e Naltë të Tiranës, kundra rrogavet të plota, me mundime të mëdha, me mzi po mundet m’u sigurue nji personel asisojit…”[5]

          Duke u kthyer tek shënimet e Dr. Ferid Pikut, e përfundoj me fjalën e tij, ku shprehet se: “Dëshira ime është që hulumtuesit e rinj të ndërtojnë mbi këtë kontribut dhe të thellohen më shumë, duke hedhur akoma më tepër dritë rreth kontributit të hoxhallarëve dhe dijetarëve shqiptarë të periudhës osmane, në fusha të ndryshme, qofshin ato fetare, letrare, shoqërore, politike etj.”[6]

          Dhe, sado që të thellohemi në këto studime, patjetër që shumë e shumë të reja, plot të pathëna dhe shumë të vërtetat të fshehura e të tjetërsuara ndër dekada, do të dalin në pah, për të dëshmuar bashkarisht madhështinë e periudhës së begatë osmane dhe bekimet e Zotit mbi popullin tonë, që na bëri të bashkarisht ndërtues dhe drejtues të një qytetërimi vlerash, që botës i fali zhvillim dhe përparim të padëshmuar më parë.

          Dhe siç thotë fjala e urtë italiane: Ciò che è vero non ha fretta!

          Faleminderit!

 

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

 

(Fjala e mbajtur në promovimin e veprës së Dr. Ferid Pikut,

më 10 korrik 2026 në hapësirat e Xhamisë së Plumbit, në Shkodër)

 



[1] Dr. Ferid Piku, Kontributi i autorëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore gjatë periudhës osmane, botimi i parë, Minber, Tiranë, 2026, f. 41.

[2] Po aty, f. 30.

[3] Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi, Ramadan Shkodra, Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912), Prishtinë, 2021, f. 9.

[4] Po aty, f. 411-430.

[5] S. Vuçiterni, Nji pergjegje Z. Hafis Xhaferit, revista “Zani i Naltë”, nr. 9, prillë 1927, vit’ i IV, f. 276-277.

[6] Dr. Ferid Piku, vep. e cit., f. 16.