Mesazh me rastin e fillimit të Vitit të Ri 1448 h.
Të dashur besimtarë,
Kalendari i kësaj dite, më 16 qershor 2026, tregon 1 Muharrem 1448. Sot, zyrtarisht mbarë ymeti islam ka hyrë në një vit të ri. Pra, jemi thuajse në zemër të shekullit të 15-të pas emigrimit të Pejgamberit tonë (salallahu alejhi ve selem), nga Meka e dashur dhe e shtrenjtë drejt Medinës së Ndriçuar me dritën e Pejgamberit tonë (alejhis-salatu ves-selam).
Sado që ne të flasim për ngjarjen e Hixhretit dhe stacionet e shumta të tij, nuk jemi të aftë për t’ia dhënë hakun ashtu siç duhet. Mirëpo, me rastin e kësaj dite të madhe, që gjithsesi është edhe fillimi i një muaji të ri të shenjtë, gjej mundësinë t’ju drejtohem me këtë mesazh, veçanërisht, për rininë dhe fëmijët tanë!
Mendoni për pak të dashur dhe të shtrenjtë, Pejgamberin tonë, më të mirin e krijesave të Allahut, më të mirin e gjithësisë, atë që Allahu i Madhëruar e ka dërguar për mbarë racën njerëzore dhe që në një moment të jetës së tij e gjen veten, pas shumë e shumë vitesh përkushtimi, përpjekjesh, angazhimi ditë-natë për t’i mësuar njerëzve rrugën drejt dashnisë së Allahut, për t’i treguar se errësirat nuk janë zgjidhje dhe se drita e Zotit, ajo është alternativa që e merr njeriun për t’u lartësuar në gradën e të jetuarit dhe të dëshmuarit si mëkëmbësi i Zotit në tokë; rrethuar nga arroganca, mendjemadhësia, injoranca dhe idhujtaria e një populli, që tashmë kanë vendosur ta zhdukin nga faqja e dheut, ose ta vrasin, ose ta dëbojnë, ose ta syrgjynosin në mënyrë që njerëzit mos të kenë më mundësi të dëgjojnë prej Zotërisë së tij!? Dhe, Allahu i Madhëruar që e udhëzon për t’u larguar nga Meka drejt Jethribit!
Mirëpo si të largohet nga Meka, ai vend i shenjtë dhe ai vend i dashur, vendlindja e tij?! A ka më të dashur për njeriun sesa vendlindja e tij? A e keni vënë re, sidomos ju të dashur e të shtrenjtë, që jeni në emigracion (dhe sa të shumtë jeni) që ju dhemb zemra, ju dhemb shpirti ditë-natë për tokën tuaj, për vendlindjen tuaj, për kujtimet e fëmijërisë, për pragun e derës, për nënën e babën! Ju, që për shkaqe të shumta të ngjashme me ato që e detyruan Pejgamberin (alejhis-salatu ves-selam) të largohet nga vendlindja e tij, jeni detyruar të largoheni nga vendlindja e juaj!
Disa prej jush keni dëgjuar një ditë se nëna ka ndërruar jetë, e dikush ka dëgjuar që baba ka ndërruar jetë. E dikush e dikush.., dhe halleve e derteve të jetesës tuaj i shtohet edhe mungesa e më të shtrenjtëve… Përfytyroni veten tuaj përpara kësaj pasqyre të madhe krahasimore dhe vendoseni veten tuaj në pozitën e besimtarit, durimtarit, sakrifikuesit dhe shihni me sytë e zemrës, Pejgamberin (alejhis-salatu ves-selam), që detyrohet të largohet nga vendlindja e tij për një kauzë më të shtrenjtën e kauzave të jetës, për një çështje që është më e rëndësishmja, më e shenjta, më e plota, për të cilën njeriu mund të sakrifikojë e të përkushtohet duke marrë në konsideratë edhe momentin e dhimbshëm të largimit me sy të përlotur nga vendlindja e tij e shtrenjtë dhe e dashur.
Dhe, shihni Pejgamberin (alejhis-salatu ves-selam) në një udhëtim të lodhshëm, plot vështirësi dhe sakrifica, teksa largohet drejt Medinës së Ndriçuar, dhe kuptoni, sidomos ju djem të rinj dhe vajza të reja, se jo gjithmonë, kur për një arsye a një tjetër, ju e shihni veten tuaj të rrethuar nga sfida dhe sprova që gati-gati jua marrin frymën, jua lëkundin besimin dhe vendosmërinë tuaj! Mendoni se zgjidhja është largimi?! Ku të shkoni, me çfarë do të përballeni?
Në fakt zgjidhja është në bërjen e Hixhretit brenda vendit, duke mos e lëshuar rrënjën, tokën, tabanin dhe pragun e shtëpisë! Duke luftuar e duke u përpjekur me të gjitha forcat e me të drejtën e Zotit mbi të gjitha, me çdo përpjekje që bëhet për të larguar ty nga vendi jot e toka e jote; që do të të marrë rininë, që do të ta vrasë rininë, që do të ta vrasë shpresën e ëndrrën! Të përpiqemi, siç Pejgamberi (a.s), për kauzën e tij të shenjtë; për jetën tënde, për rininë, për tokën, për ëndrrën, për alternativat për të cilat ti do të sakrifikosh, për më të mirën në këtë jetë, si besimtar, si durimtar, si sakrifikues!
Mos lëshoni pe në kërkimin e të drejtave, mos lëshoni pe në përpjekjen e vazhdueshme për të gjetur më të mirën, sepse asnjëherë nuk mbyllen dyert e shpresës përtej përpjekjeve të shumta të shejtanit të mallkuar për t’ia zizuar jetën njeriut e besimtarit në veçanti.
Përherë ka shpresë! Sepse, kur e lidhim mendjen, zemrën dhe shpirtin tonë me Krijuesin Fuqiplotë, krejt taborrat e shejtanëve të botës e të historisë së njerëzimit e të historisë së krejt gjithësisë, po të mblidhen, nuk mund të qëndrojnë përpara besimtarit të vendosur e të dorëzuar para kaderit të Allahut (aze ve xhel), siç errësirat nuk mund të qëndrojnë para rrezes më të vogël të diellit, teksa nis të ndriçojë çdo gjë përreth në realitetet e një vendi dhe të një shoqërie!
Kështu, të dashur dhe të shtrenjtë,
Të çojmë ndërmend Pejgamberin (alejhis-salatu ves-selam), që ishte njeri luftarak, luftarak i ndershëm, që përpiqej dhe luftonte për kauzat e drejta! Edhe ti, të luftosh dhe të përpiqesh për kauzën më të rëndësishme të jetës tënde, për besimin tënd, për lirinë tënde, për rizkun tënd, për hallallin tënd, për ta ruajtur ujin e fytyrës, moralin, dertin e asaj që është e shenjtë në jetë; mos ta lejosh veten, që për një kafshatë a një copë buke, të rrëshqasë në rrjedhat e devijimit e të shthurjes, sepse kështu do shoqëria, ose kështu është realiteti!?
Në fakt, shoqëria jemi unë dhe ti! E kur unë edhe ti lejojmë që të prishet ajo që është ndërtuar me besim dhe dritën e Zotit, patjetër që shoqëria do të prishet dhe do të njolloset nga gjurmët e harameve që mund të bëjmë!? Zoti na ruajtë! E nëse unë dhe ti përpiqemi që moralin e besimit, e dritën e tij ta përçojmë në çdo hap të jetës sonë, sado e errët që të jetë tabloja me të cilën ne përballemi, ajo do të fillojë të hirtësohet, do të pastrohet e do të ndriçojë me dritën e besimit që unë dhe ti marrim në zemrat tona!
Dhe e përfytyroj për një moment Pejgamberin (alejhis-salatu ves-selam) që mbërrin në Medinë, në qytetin, që nga ai moment merr emrin e famshëm dhe shumë të dashur për zemrat e gjithsecilit prej nesh, Medineja e Ndriçuar, Qyteti i Ndriçuar. Si të mos jetë qyteti më i ndriçuar i historisë së racës së njerëzimit, përderisa në të ka shkelur, ka mbërritur, ka jetuar, ka banuar dhe ka vendosur që të zhvillojë aktivitetin e tij, madje dhe që i lutet Allahut (aze ve xhel), që dhe kur t’ia marrë shpirtin, të vdesë në Medinë, si të mos jetë Qyteti më i Ndriçuar?!
Mendoni për pak gëzimin e njerëzve që thirrnin me të madhe: “Taleal-bedru alejna”: “U shfaq hëna në mesin tonë”. Hëna! Hëna e gëzimit, hëna e besimit, hëna e shpresës, hëna e dashnisë, hëna, më e bukura hënë që është shfaqur ndonjëherë mbi horizontet e jetës!
Në këtë ditë, në këtë përshpirtje e në këtë përkujtim të kësaj ngjarjeje të madhe, le të bëhemi gjithsecili prej nesh ensarët e fesë së Allahut (aze ve xhel). Le të bëhemi mikpritësit e fjalës së Allahut në zemrat tona. Pashë para disa orësh ceremoninë e ndërrimit të perdes, mbulesës së Qabes së Madhnueshme dhe po shikoja me vëmendje ceremoninë madhështore, që na fton për të ndjekur me vëmendje çdo hap, dhe thashë me vete: subhanallah!
Qabja në fakt është një ndërtesë guri. Është një ndërtesë e ndërtuar nga dora e njeriut. Edhe ajo mbulesë është një mbulesë e prodhuar nga dora e njeriut. Po, mendoni për pak. A ka Qabe më të madhe sesa ti, sesa zemra e jote? A ka Qabe dhe pikë referimi për jetën mbarë, sesa zemra e jote, në të cilën Allahu i Madhëruar ka vendosur të shohë me dritën e Tij dhe me mëshirën e Tij për ta ndriçuar atë zemër! Kujdes, ajo zemër e ka një pëlhurë, që e mbulon dhe që ka nevojë të ndërrohet herë pas here! E ndërrimi më i mirë që i bëjmë pëlhurës së zemrave tona plot besim, është istigfari, dhikri i Allahut të Madhëruar!
Po ndërrohej mbulesa e Qabes dhe thashë subhanallah, sa mirë do të ishte që gjithsecili prej nesh në mënyrë sistematike t’ia ndërronim mbulesën zemrës se mos, nga prekjet e shumta të duarve, të aktivitetit të përditshëm, ka marrë mikrobe, e ka nevojë për t’u shkundur e pastruar, për të hyrë në huzur të pastrimit, të cilin Allahu i Madhëruar e do e, njëkohësisht, do edhe ata që pastrohen, njerëzit e pastër!
Ejani të dashur të shtrenjtë, të bëjmë një revolucion të madh në jetën tonë, për të ndryshuar nga realiteti ku jemi, në më shumë, më mirë e më afër Zotit, më afër besimit, më afër vlerave e moralit, më të lidhur në familjet tona, për të ruajtur tabanin tonë, për të ruajtur vlerat tona e për t’u lartësuar nëpërmjet besimit tonë drejt asaj për të cilën Allahu i Madhëruar është i kënaqur me ne.
Me zemër të mirë fillimin e vitit të ri 1448!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 16 qershor 2026