Lamtumira që ngacmon besën në kujtime…

Stina e vjeshtës më sjell përherë me vete aromën e miskut të Medines, që përzihet në mënyrë të papërshkrueshme me flladet e freskëta të sabaheve në Shkodër.

Në një si-ritual, thuajse të përditshëm, pres në terracën e shtëpisë sime, përzierjen e perëndimit me lindjen, mbizotërimin e rrezeve të para që nisin t’i japin dritë qytetit dhe, heshtjen e mallit drejt botës së kujtimeve…

Vetëm freskia tipike e mëngjeseve shkodrane ia shton energjinë, duke i dhënë frymë për të mos fshirë nga zemra atë që është gdhendur mbi të për të mos u fshirë më kurrë..! Tamam, si një besë e dhënë, deri në të përtejmen!

Flladet e përhapura gjithandej horizonteve më thërrasin të bëhem gati, edhe pse në vetvete, nuk jam kthyer më nga Medina, që herën e parë të takimit tonë, në tokën e Ma të Mirit Pejgamber…

Vjen, si mall shekujsh e përplaset mbi gjoksin tim, si për të ngacmuar zemrën e strukur në heshtjen e pritjes… Në fakt, ajo ndjek tjetër ritëm dhe lëviz me tjetër energji, drejt botës së salavateve…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 12 tetor 2020