Ruaje shëndetin dhe mos u bëj bjerraditës!

Janë dy hadithe, që shumë prej nesh neglizhojmë thelbin e tyre, për të cilin, Resulull-llahu (a.s) na tërheq vëmendjen.

Hadithi i parë: “Përfito nga pesë gjëra, para pesë të tjerave: nga rinia jote para pleqërisë tënde, nga shëndeti yt para sëmundjes tënde, nga pasuria jote para varfërisë tënde, nga koha jote e lirë para angazhimit tënd dhe nga jeta jote, para vdekjes tënde!”.

Hadithi i dytë: “Janë dy mirësi, në shfrytëzimin e të cilave, shumë njerëz janë të humbur: shëndeti dhe koha e lirë!”.

Nëse vini re, dy hadithet tërheqin vëmendjen e njerëzve që të shftytëzojnë mirësitë e Zotit, para se ato të shkojnë. Rinia, shëndeti, pasuria, koha dhe jeta në tërësinë e saj, janë epiqendra e këtyre dy këshillave të shtrenjta!

Në veçanti shëndeti dhe koha!

Subhanallah, sa e sa detaje të shëndetit, që ndoshta nuk ia dimë vlerën, as e falënderojmë Zotin për to, as ia njohim peshën e tyre në trupin tonë, vetëm pas lëndimit a sprovës..!

Sa e sa lëndime, që nuk i japim rëndësinë e duhur në kohë, duke neglizhuar, deri në atë pikë sa, edhe po të japësh më pas krejt pasuritë e botës nuk e kthen më atë, që të ishte dhënë dhe nuk dite një herë të thuash për të: Elhamdulilah!

Nga ana tjetër, sa kohë e tretur dhe e shkuar dëm në jetën e njeriut, aq sa po të përpiqej secili për të riorganizuar kohën e tij, brenda ditës, javës a muajit, patjetër që do kishte tjetër prodhimtari dhe rezultate në jetën e secilit prej nesh!

Në kryeveprën e tij: “Vlera e kohës tek dijetarët”, i Përndrituri Shejkh Abdulfettah Ebu Gudda sjell në vëmendje të lexuesit me qindra shembuj nga jeta e korifejve të dijes dhe shkencës së 14 shekujve tanë islam, ku emëruesi i përbashkët dhe detaji kryesor i shkëlqimit të tyre është shfrytëzimi i kohës!

Ulu një ditë në vete, merr një laps e një letër dhe shkruaj krejt ato mirësi, me të cilat të ka zbukuruar Krijuesi yt dhe falënderoje me qindra herë për secilën prej tyre!

Pastaj kërkoji falje për ato qindra e mijëra mirësi të harruara, a të fshehura nga dija e ndjesia jote dhe lutu pambarimisht që All-llahu i Madhëruar ta bekojë jetën tënde duke të udhëzuar drejt përfitimit nga koha sa je i ri, sa ke forcë për të punuar e për të fituar nga hallalli, sa e ke shëndetin dhe sa ende nuk të ka trokitur Azraili në derë, sepse, kur ai vjen, nuk të merr leje!

Ruaje shëndetin, mos abuzo me çfarë të është lënë amanet nga Zoti yt! Jepi hakun trupit tënd, respekto moshën dhe mos i tejkalo ato kufij, që realisht duhen respektuar në raportet tona me shëndetin dhe kohën!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 13 tetor 2020