Edhe sikur të mos kishim lexuar ndonjë prej haditheve të Muajit Ramazan, me vetëdijen tonë besimtare do të kishim kuptuar e perceptuar madhështinë e tij, nga ajo që ndjehet dhe shihet qartë në lëvizjen e njerëzve në Ramazan!
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Resulullahun tonë, nga i cili kemi mësuar detaje pa fund nga mirësia dhe bekimet, me të cilat Zoti i gjithësisë na mbulon në këtë Muaj të madh ndryshimesh të mëdha!
Ka një angazhim të jashtëzakonshëm dhe një përkushtim të madh nga të gjithë për të qenë ky Muaj, si një frymë xheneti në mesin tonë!
Kur Resulullahu (a.s) na tregon se në këtë Muaj “hapen dyert e xhenetit”, natyrshëm kjo është për të na treguar se xheneti, të cilin e ka krijuar Allahu i Madhëruar, është përgatitur për të pritur ata besimtarë vepërmirë që largohen nga kjo botë në këtë Muaj të bekuar.
Njëkohësisht, në jetën tonë të përditshme, përkushtimi për ta dëshmuar besimin dhe vlerat e tij në një mënyrë të jashtëzakonshme, e bën realitetin tonë si të ishte xhenet!
Pra, të kuptojmë se hapja e dyerve të xhenetit në Ramazan nënkupton hapjen e dyerve të xhenetit real dhe hapjen e mundësive për ta kthyer realitetin tonë në një xhenet të jetuar nëpërmjet veprave, sjelljeve, bamirësive dhe përkushtimit për ta ndërtuar jetën dhe marrëdhëniet me tjetrin mbi bazat e një përkushtimi dhe një transparence shpirtërore tepër të lartë!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 19 prill 2021