“Çfarë të pëshpëriti tigri në vesh?”

Dy shokë po shëtisnin së bashku në pyll, kur papritur u sulmuan nga një tigër.

I pari, vrapoi, u kap pas një dege dhe u ngjit në pemë pa i tërhequr vëmendjen shokut të tij. Ndërsa tjetri, nga befasia u shtri përtokë me fytyrë për dhé.

Kur mbërriti tigri, afroi hundën e tij pranë veshit të burrit që nuk lëvizte, as merrte frymë, i mori erë, pastaj lëvizi kokën me një ulërimë të fortë dhe u largua duke vrapuar, sepse tigrat nuk ushqehen me mish të vdekur…

Pasi u qetësua situata, i pari zbriti nga pema dhe e pyeti shokun e tij: “Çfarë të pëshpëriti tigri në vesh?”

I shpëtuari për mrekulli, ia ktheu: “Më tha: Mos i zër besë shokut, që heq dorë prej teje në rast nevoje!”

Më pëlqeu kjo anekdotë në gjuhën arabe, ta ndaj me ju me dëshirën e mirë që virtytet dhe cilësitë e larta, të jenë pjesë e pandarë e jetës së gjithësecilit prej nesh! Sepse një shoqëri pa virtyte dhe cilësi të larta, mbetet përherë dekadente, e shenjuar të notojë në ujra të ndotura, larg qytetërimit të vlerave të vërteta…

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip
me ca shënime anësore:

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 30 qershor 2016