Dr. Salahuddin A. Keftaro, kishte publikuar ndodhinë e një beduini në qytetin e Basras (Iraku i sotëm), ku dikush e kishte pyetur: A mendon se do të hysh në xhennet?
Beduini ishte përgjigjur: “Pasha All-llahun, nuk e kam vënë ndonjëherë në dyshim! Unë do të shëtis në kopshtet e tij, do të pi nga krojet e tij, nën hijen e pemëve do të qëndroj, nga frutet e tyre do të ha, do të pushoj në hijen e tyre, do të thith nga nektari i tyre dhe do të jetoj në dhomat e kështjellave të tij.”
E pyetën: Për shkak të ndonjë të mire të bërë, apo për ndonjë mirësi të kaluar?
Tha: “Po ku ka mirësi më të madhe, sesa besimi im në All-llahun e Madhëruar dhe mohimi që i bëj çdo të adhuruari tjetër, përveç Tij?”
E pyetën: A nuk ke frikë nga gjynahet?
Tha: “All-llahu ka krijuar faljen për gjynahet, mëshirën për gabimin, tolerimin për rrëshqitjet! Ai është më Bujar, sesa të ndëshkojë të dashurit e Tij në zjarr të xhehnemit!”
Në xhaminë e Basras, njerëzit e përmendnin shpesh mendimin e mirë që beduini kishte për All-llahun. Sa herë që e kujtonin fjalën e tij, retë e pesimizmit largoheshin prej tyre dhe optimizmi dominonte…
E, ku ka më bukur, sesa besimi në All-llahun dhe mendimi i mirë për Të!
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 29 qershor 2016