“Mos hezito të kthehesh nga All-llahu…”

Tashmë që ditët plot mëshirë, falje e bujari të Muajit Ramazan 1437, po kalojnë njëra pas tjetrës, është me vend që gjithësecili prej nesh të shfrytëzojë kohën e tij për të kërkuar falje për gjynahet dhe gabimet e tij. Me dëshirën e mirë që me mbarimin e ditëve të këtij Muaji, gjithësecili prej nesh të ketë fituar mëshirën, faljen dhe razillekun e All-llahut, pas së cilëve, as krejt bota me pasuritë e saj nuk të hyjnë më në sy..!

E kush prej nesh nuk ka gabuar e nuk i ka hyrë në hak vetes së tij, jo një, por me dhjetra e qindra herë?!

E kush prej nesh nuk do të donte që Zoti i gjithësisë ta gëzonte me faljen e Tij, me mëshirën e pakufijshme, me pranimin dhe pëlqimin e Tij?

E kush prej nesh nuk do të dëshironte që të dilte i pastër nga kjo botë nga haqet e njerëzve, nga borxhet, nga padrejtësia e shkelja e hakut të njërit a tjetrit?

E kush prej nesh nuk do të donte që në takimin e parë me stacionet e jetës së përtejme, t’i thuhet: “Selamun alejkum – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.” – (Kur’ani, Ez-Zumer: 73)

Po lexoja rreth vlerave të pendimit dhe faljes së Zotit dhe, u ndala tek një urtësi, në rreshtat e së cilës shkruhet: “Mos hezito të kthehesh nga All-llahu, sado që të jesh ndotur me gabime e gjynahe… Sepse, Ai që të ka mbuluar, teksa ndodheshe nën çatinë e gjynahut, nuk do të të korisë nën krahët e pendimit…”

All-llahumme zbukuroje jetën tonë me pranimin e adhurimeve tona, të pastra e të sinqerta për Madhërinë Tënde, na udhëzo drejt faljes dhe pranoje pendimin tonë…

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 28 qershor 2016