“Sadaka për jetim” dhe 11 ditët e Molla Ibrahimit…

Ndër mirësitë më të mëdha në këtë jetë, me të cilat është begatuar ymmeti islam, është pa dyshim Muaji i Madhërishëm i Ramazanit. Ky Muaj është një sekret i madh i dashnisë, mëshirës, bujarisë, faljes e dhuntive pa fund nga Zoti i gjithësisë!

Subhanallah, edhe ajri që thithim çdo ditë, (për të cilin, shpesh harrojmë ta falënderojmë All-llahun), në Ramazan ka ndjesi të papërshkrueshme. Ngjan me një përzierje aromash, që s’i përkasin kësaj bote.

Ditën e sotme, përjetova disa momente të mrekullueshme, që reflektojnë shpirtin dhe ndërgjegjen islame të shoqërisë sonë, a atij element që ka ruajtur me fanatizëm legjitim besën e traditave shekullore islame. Atë shpirt e atë ndërgjegje, që u ka zbukuruar jetën prej shekujsh, qëkur muslimanët arabë të Siçilisë kaluan në këto troje, duke bartur dritën e Islamit dhe pastërtinë, si filozofi jete…

Do ndaj me ju vetëm dy prej tyre.

1) Po hapja derën e zyrës, kur papritur një zarf, që qëndronte poshtë saj, më tërhoqi vëmendjen. Zakonisht, zarfet dhe korrespondencat e ndryshme vijnë nga zyra përbri, ndryshe nga ky, që kishte zënë pragun e derës…

Në fakt, ai nuk ishte një zarf, por një fletë dyshe nga një fletore me katrore, me të cilën ishte mbështjellur një sasi të hollash. Sipër zarfit të improvizuar, me shkrimin e një të moshuari shkruhej: “Sadaka për jetim”.

Në prezencën e disa prej kolegëve të mi të myftinisë, u bëmë dëshmitarë të shumës që gjendej brenda “zarfit”, 35.500 lekë të reja shqiptare…

Ky detaj, më kujtoi hadithin e Hz. Muhammedit (a.s), kur thoshte, se: “Shtatë lloje njerëzish, do t’i përfshijë All-llahu në hijen e Tij, (nën Arshin e All-llahut), atë ditë kur nuk do të ketë hije, veç hijes së Tij: … 6) Dhe një person që jep një sadeka, aq sa nuk e di e majta e tij, atë që jep e djathta e tij…”

Natyrshëm, metafora e këtij fragmenti ka për qëllim dhënien e sadekasë pa bujë e pa zhurmë, sepse, kur nuk e di e majta çfarë jep e djathta, si ta dijnë njerëzit përreth?! Dhe ky është kulmi i dhënies për “hatrin e Zotit”!

Dy familje me jetimë u gëzuan sot pasdite, kur amaneti i “zarfit” nën derën e zyrës sime, shkoi në vendin e tij, Elhamdulilah…

2) Pas namazit të teravisë, po përshëndetesha me një besimtar të nderuar, që e mbaj mend si frekuentues të rregullt të xhamive të Shkodrës, që në ditët e para të rimëkëmbjes, pas 16 nëntorit 1990.

Zotni Sytkiu, përherë fytyrëqeshur, po më tregonte për të atin, të nderuarin Molla Ibrahim Bajraktari (1882-1967). Imami i fundit i xhamisë së fshatit Shtuf-Dodaj në Anën e Malit. Po më thoshte: “Sekretari i partisë e thirri dhe i komunikoi mbylljen e xhamisë dhe aktivitetit fetar… Pas 11 ditëve baba ndërroi jetë…”

U mbusha thellë me frymë dhe u përpoqa ta përfytyroj barrën e rëndë të lajmit makabër të sekretarit të partisë së djallit, që i “shkurtoi jetën”, jo vetëm Hoxhës së nderuar, por krejt popullit shqiptar…

U luta me zemër për Molla Ibrahim Bajraktarin dhe krejt hoxhallarët tanë, që vuajtën si askush tjetër ndalimin e fesë, shkatërrimin e xhamive, ndalimin e aktivitetit fetar në Shqipërinë muslimane…

Ata janë martirët e vërtetë të këtij kombi, edukatorët e fesë së masës, të dhunuarit e të persekutuarit, që sistemet e djallëzuara që pasuan, u përpoqën me çdo kusht ta pakësonin vlerën dhe madhështinë e tyre, duke e prezantuar këtë komb, ndryshe nga ç’ishte në të vërtetë; në shpirtin e tij, fenë dhe edukatën shoqërore…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 27 qershor 2016