Ne ia kemi borxh çdo njeriu përcjelljen e Fjalës së All-llahut…

Ditën e sotme kam qenë i rrethuar nga përshpirtja e dy haditheve të zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte: “Teksa një qen sillej rreth një burimi uji, i vdekur nga etja, e pa një grua e shthurur nga beni israilët. Ajo hoqi shapkën e saj, e mbushi me ujë dhe i dha qenit të pinte. Zoti e fali për këtë veprim” – (Bukhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra)

Ndërsa hadithi i dytë thotë kështu: “Një grua meritoi ndëshkimin (në jetën e përtejme) për shkak të një maceje. E kishte lidhur; as e ushqente, as linte të hante nga ushqimet e tokës” – (Bukhariu nga Ibni Omer).

Këta dy hadithe janë një thirrje shpirti, që i drejtohet çdo muslimani, çdo njeriu që krenohet me origjinën e tij humane dhe lartësohet drejt vlerave të humanizmit drejt respektimit të çdo krijese dhe trajtimit të saj me mëshirë dhe butësi.

Për shkak të nijetit dhe prirjes së brendshme, shumëkush e humbet këtë botë dhe të përtejmen për shumë pak!? Njëkohësisht, për një veprim të papërfillshëm në sytë e shumëkujt, mund të fitohet falja dhe mëshira e Zotit Mëshirëplotë!

Këto dy hadithe janë një ftesë qytetëruese për këdo, se falja, mëshira dhe butësia e All-llahut i tejkalon kufijtë e perceptimeve tona të kufizuara!

Po ne, si NJERËZ të një origjine, shpesh edhe të një feje (por, edhe jo), të një race (por, edhe jo), të një kombësie (por, edhe jo), të një gjaku (por, edhe jo), pse e neglizhojmë faktin se Zoti na ka krijuar në këtë tokë që ta ndërtojmë me dashurinë e Tij, me elementët e besimit dhe përkushtimit ndaj Tij, jo të prekim shenjtëritë dhe të abuzojmë me themelet, rrënjët, origjinën, rrugëtimet tona të përkohëshme në këtë botë!

E vërteta e të vërtetave është, se bota e jonë vazhdon të lëngojë nga përgjumja e muslimanëve dhe largimi i tyre nga thelbi i fesë së tyre!

Përzierja e saj me elementë të politikave të djallëzuara, që e kanë vrarë, djegur, dhunuar e shkatërruar jetën mbi tokë, tokën vetë, me krejt krijesat e saj, ka krijuar modele dhe stereotipe, që i ngjajnë krijesave hibride në laboratore njerëzish-djaj, me të cilët nuk na bashkon as feja, as humanizmi, as raca, as kombi, as gjaku! Ata janë “sherrul-berijje” – “krijesat më të dëmshme” – (Kur’ani, El-Bejjine: 6)

Ne si muslimanë, e kemi për borxh ndaj Zotit dhe ndaj njerëzimit, të thellohemi përherë e më shumë në kuptimin e fesë tonë të shtrenjtë dhe të dëshmohemi me krenari si muslimanë!

Ne ia kemi borxh çdo njeriu përcjelljen e Fjalës së All-llahut, këshillën e Hz. Muhammedit (a.s)!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 26 qershor 2016